Zaev sërish në prokurori, ai mohon akuzën për ryshfetmarrje
Lideri i opozitës, Zoran Zaev, sot përsëri është paraqitur në Prokurorinë Publike lidhur me akuzën ndaj tij për korrupsion nën dyshimin se i ka kërkuar 200 mijë euro një biznesmeni nga Strumica....

Zaev, procesin e vlerëson si politik, pasi thekson se të njëjtin e ka paraqitur në momentin kur dyshoi se paditësi pretendonte ta montojë. Kjo është lënda e parë në Maqedoni ku nuk ka të holla ndërsa ndiqesh për to, tha Zaev, duke mos dhënë detaje të dëshmive që i janë paraqitur me qëllim të mos ndërhyjë në procedurë. Ai tha se ka mbaruar procesi i paraqitjes së dëshmive nga ana e paditësit dhe nuk pret të ketë dëshmi të reja si për këtë lëndë ashtu dhe për rastin “Puç”.
“Kjo është vetëm lëndë që tregon si kryhet dyshim apo hetim për ryshfet në të holla ku nuk ka të holla. Ky është një proces të cilin unë personalisht e ndërpreva kur ndjeva se dikush po përpiqet të më montojë për ryshfetmarrje. Nëse ka pasur ryshfet, ai që është i dyshuar nuk e ndërpret atë. E ndërpreva absolutisht në mënyrë të qartë dhe me zë të lartë, duke përmendur emrin e tij para popullit dhe kamerave, para të gjithëve”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev, edhe javën e kaluar për më shumë se tre orë ishte në pyetje për këtë rast, ku tha se dëshmitë e prezantuara ishin qesharake. Sipas asaj që kumtuan nga MPB-ja lidhur me rastin, lideri i opozitës dhe kryetar i Strumicës kanë kërkuar dhuratë për vete në vlerë prej 200 mijë euro si ryshfet nga një biznesmen nga Strumica për privatizimin e një toke ndërtimore. (Florije Kamberi, TVM2)
Foto: telegraf.mk
