Botë
Refugjatët palestinezë në rrezik, OKB: situata në Damask më dëshpëruese se kurrë
07.04.2015 15:24
Situata në kampin palestinez të Yarmoukut në Damask është tejet shqetësuese...

18.000 mijë refugjatë jetojnë atje në kushte çnjerëzore, të privuar nga ushqimet, medikamentet dhe uji i pijshëm, alarmon OKB.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kërkoi leje për t’i ardhur në ndihmë mijëra personave që gjenden në këtë kamp. Situata u përkeqësua që pas 1 prillit, kur militantët e ISIS-it nisën një ofensivë. Nga ana tjetër, grupet palestineze brenda kampit janë duke udhëhequr luftën ndaj “Shtetit Islamik”.
Kampi është ngritur fillimisht në vitin 1948, gjatë luftës së vendeve arabe me Izraelin, për të pritur dhe strehuar përkohësisht refugjatët palestinezë.
Që prej asaj kohe është shndërruar në shtëpinë e qindra-mijëra palestinezëve të zhvendosur, si pasojë e konfliktit të stërzgjatur me Izraelin.
Para nisjes së luftës civile në Siri në kamp numëroheshin 150 mijë refugjatë palestinezë, por konflikti i stërzgjatur mes forcave të opozitës dhe ushtrisë së Assadit e ka shndërruar herë pas here kampin në një “mejdan lufte”, duke vënë në rrezik jetën e refugjatëve aty.
