Maqedoni

Shembje e dheut në aksin Shkup-Veles, LAMM apelon për kujdes gjatë vozitjes

07.04.2015 16:48

Shembja e dheut në aksin rrugor Shkup-Veles në afërsi të Katllanovës ka shkaktuar për disa orë ndërprerje të komunikacionit...

Shembja e dheut në aksin rrugor Shkup-Veles në afërsi të Katllanovës ka shkaktuar për disa orë ndërprerje të komunikacionit, pasi sasi të mëdha të dheut kanë bllokuar dy korsitë e rrugës. 
 
“Udhëtarët u njoftuan dhe menjëherë filloi largimi i dheut. Ishte shkaktuar kolonë e veturave, por më pas rruga u pastrua. Për largimin e dheut nga rruga nevojiten katër deri në pesë orë. Rrëshqitja ka ndodhur rreth orës 12 e 30”- deklaroi Zoran Vellkovski nga “Rrugët e Maqedonisë”. 
 
Për shkak të reshjeve, komunikacioni në të gjitha rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte të lagështisë.
 
“Lidhja Automoto” rekomandon te vozitësit  kujdes në drejtimin e automjeteve, sidomos në akset që kalojnë përmes grykave malore, veçanërisht në akset rrugore Katllanovë-Veles, Mavrovë-Dibër-Strugë, Demir Kapi-Udovë, Koçan-Dellçevë, Vinicë-Berovë ku mund të paraqiten shembje të vogla të dheut.
 
Po ashtu, Trupi Kordinativ për Ballafaqim me Kriza ka shqyrtuar sot gjendjen hidrologjike në Maqedoni dhe ka konstatuar se për shkak të rritjes së temperaturave gjatë fundjavës së ardhshme është e mundur shkrirja e borës në zonat malore, që do të shkaktojë rritje të niveleve të ujit. 
 
Sipas parashikimit të meteorologëve, nga dita e enjte pritet ndërprerje e reshjeve, ndërsa temperaturat e ditës do të shënojnë rritje edhe deri në 20 gradë celsius.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI