Botë

Shqipëri, shënohet 15 vjetori i anëtarësimit në NATO

01.04.2024 13:55

15 vjet më parë flamuri shqiptar u ngrit përkrah flamujve të tjerë të vendeve anëtare të Aleancës Atlantike të Veriut...

15 vjet më parë flamuri shqiptar u ngrit përkrah flamujve të tjerë të vendeve anëtare të Aleancës Atlantike të Veriut, duke shënuar anëtarësimin me të drejta të plota në NATO. Finalizimi i përpjekjeve disavjeçare shënoi një moment historik për Shqipërinë, e në përkujtim të kësaj dite, presidenti Bajram Begaj shpreh mirënjohje për ShBA-në dhe aleatët e tjerë që mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi.
 
“Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën euroatlantike. Krenar për efektivët e Forcave tona të armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe.”, - deklaroi presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. 
 
Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, thotë se 15 vite në NATO janë një rrugëtim solidariteti dhe mbrojtjeje kolektive.
 
“Shqipëria mbetet një kontribuues i përkushtuar i NATO-s, duke qëndruar me krenari krah aleatëve të saj, për të mbështetur paqen dhe vlerat tona të përbashkëta.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani. 
 
Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha, asokohe ministër i Jashtëm, risolli mesazhin e tij ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
 
Kjo ditë u përkujtua edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.
 
“Që nga anëtarësimi në NATO në vitin 2009, zhvillimi i Shqipërisë në një partner dhe aleat të besueshëm ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm. Sot Shqipëria ka siguri, stabilitet dhe qëndrueshmëri – sot Shqipëria ka NATO-n. Së bashku, ne qëndrojmë më të fortë. Edhe shumë vite të tjera si aleatë në NATO!”, shkruhet në faqen zyrtare të ambasadës amerikane.
 
Që prej anëtarësimit, forcat e armatosura shqiptare kanë kryer një sërë misionesh. Ato janë aktualisht të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Sudani i Jugut dhe Letoni, Bullgari, Irak, detin Egje.
 
LULJETA NDOKA