Botë

Rastet e krimeve serbe në Kosovë, Kurti fton drejtësinë të ngritin hetime

01.04.2024 14:14

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka ftuar organet e drejtësisë në Kosovë të ngritin hetime për rastin...

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka ftuar organet e drejtësisë në Kosovë të ngritin hetime për rastin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe. Krimet e luftës nuk vjetrohen kurrë, thotë kryeministri Kurti, por ai thekson se dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar, prandaj drejtësia duhet të veprojë sa më parë. 
 
“Sistemit tonë të drejtësisë nga këtu i bëj thirrje edhe njëherë për adresim me urgjencë të rasteve të kryera gjatë luftës, sepse këto krime asnjëherë nuk janë vjetruar, por dëshmitarët janë gjithnjë e më të moshuar.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Këto komente Kurti i bëri gjatë përkujtimit të masakrës së Lybeniqit, ku forcat serbe, 25 vjet më parë, kanë vrarë 79 civilë të këtij fshati në komunën e Pejës. Kurti theksoi se ushtarët serbë atë ditë i ndau gratë, fëmijët dhe të moshuarit, të cilët i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën në Xhaminë e Lybeniqit, e cila atë ditë u kthye në një vend krimi, ku ushtarët serbë shtinë me armë automatiku në mënyrë të përsëritur që askush të mos mbetej i gjallë. Edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën duke theksuar se regjimi gjenocidal i Serbisë kishte tendencë shfarosjen e popullit shqiptar. 
 
GYLTENE SINANI