Maqedoni
Analistët: rastet e Hagës, një plagë e mbyllur që nuk guxon të hapet
07.04.2015 17:12
“Bomba” e 18-të e LSDM-së shkaktoi reagimin e shqiptarëve...

Përkujtimi nga ana e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, se grupi parlamentar i kësaj partie votoi kundër interpretimit autentik të Ligjit për Amnisti të katër rasteve të Hagës, ku rëndoheshin krerët e lartë dhe ish-ushtarë të UÇK-së, për analistët është vazhdim i një politike tashmë të njohur për shqiptarët.
Ish-deputeti i BDI-së, Hisen Xhemaili, njëri nga të dyshuarit e prokurorisë maqedonase për rastin “Punëtorët e Mavrovës”, thotë se qëndrimi i djeshëm i liderit të LSDM-së është vetëm vazhdimësi e veprimeve të kësaj partie.
“Bëhet fjalë për një qëndrim në kontinuitet që kjo parti pati edhe gjatë miratimit të interpretimit autentik të Ligjit për Amnisti. Me këtë qëndrim LSDM-ja nuk bën më shumë, por kërkon që në këtë moment të hapë edhe një herë plagët e mbyllura të 2001 dhe mundohet që në rrafshin e konfliktit ndëretnik, ndoshta edhe nga pozicioni i partisë opozitare, të përfitojë nga këto raste, kur tani më janë hapur shumë çështje. Mendojmë që në këtë moment kthimi mbrapa nuk është mënyrë për të përfituar, sepse lufta e 2001 hapi shumë plagë, por sjellja e Ligjit për Amnisti ishte edhe një vendim për t’u mbyllur këto plagë, që t’i jepet një shans paqes dhe perspektivës në Maqedoni”- deklaroi ish i dyshuari për rastin “Punëtorët e Mavrovës”, Hisen Xhemaili.
Edhe Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së Ish të Përndjekurve dhe të Burgosurve Politik Shqiptarë, thotë se publikimi i djeshëm i audio-xhirimeve për rastet e Hagës është një lojë e planifikuar mirë, që ka si qëllim nxitjen e opinionit publik dhe rihapjen e një plage që ende nuk është mbyllur si duhet në Maqedoni.
Por, sipas tij, nuk është ide e mençur të fusësh në lojë shqiptarët, duke e ngacmuar pikërisht këtë plagë.
“Prekja e kësaj çështje të mbyllur është një lloj sikur të prekësh një plagë të shëruar. Këtu Zaevi tregohet jokonsekuent në qëndrimet e tij dhe më duket se e zbuloi edhe maskën e vërtetë. Një gjë që është e mbyllur me aq sakrifica, nuk duhej të përmendej në këtë mënyrë për përfitime politike. Unë mendoj se me këtë “bombë” Zaevi humbi simpatitë e shumë shqiptarëve”- tha kryetari i Shoqatës së Ish të Përndjekurve dhe të Burgosurve Politik Shqiptarë, Shpëtim Pollozhani.
Edhe analisti, Ismet Ramadani, vlerëson se luajtja me këtë rast të ndjeshëm është vetëm propagandë politike momentale, por assesi nuk do të thotë që LSDM-ja, nëse vjen në pushtet, do ta rihapë këtë çështje.
“Nëse nesër LSDM-ja vjen në pushtet, nuk do të ketë asnjë fuqi që përsëri të hapë çështje për rastet e Hagës, pasi cilado parti shqiptare që do të jetë në koalicion, në asnjë mënyrë nuk do të lejojë hapjen e plagëve të mbyllura”- theksoi analisti, Ismet Ramadani.
Në audio-xhirimet e publikuara dje nga LSDM-ja, lideri i opozitës maqedonase ironizoi kryeministrin Gruevski që, sipas tij, pranonte të shkelë mbi popullin maqedonas për të plotësuar dëshirën e partnerit shqiptar të koalicionit, duke detyruar deputetët e VMRO-së të votojnë pro interpretimit autentik të Ligjit për Amnisti të katër rasteve të Hagës.
Zaev u përkujtoi të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dje se LSDM-ja votoi kundër rasteve që rëndonin udhëheqësinë e lartë të UÇK-së.
Por, për shumë njerëz, pranimi i këtij “patriotizmi” të Zaevit është tentim për përfitime politike të çastit dhe përmes propagandës politike, Zaevi harron se deklarata të tilla për çështje të ndjeshme për shqiptarët mund të hapin plagë të mbyllura, e kjo nuk është në interes të Maqedonisë për çfarëdolloj arsyeje politike të momentit.
SANIJE KASAMI
