Maqedoni
Xhaferi: angazhohemi për zbatimin e programit
07.04.2015 17:16
Deputetët e BDI-së kanë injoruar bisedën e përgjuar midis ministres së Brendshme, Gordana Jankullovskës, dhe kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovskit...

Deputetët e BDI-së kanë injoruar bisedën e përgjuar midis ministres së Brendshme, Gordana Jankullovskës, dhe kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovskit, që u dëgjua në pres-konferencën e fundit të LSDM-së, me ç’rast ky i fundit përdor fjalor ofendues për të zgjedhurit e popullit.
Talat Xhaferi thotë se BDI është e angazhuar në përmbushjen e përcaktimeve programore, ndërsa fjalorin e tillë e cilëson si nivel të ulët të komunikimit.
“Ne si deputetë në atë përbërje dhe në të gjitha përbërjet pasuese dhe paraprake, jemi angazhuar që të përmbushim përcaktimet tona programore dhe të kryejmë punën tonë të cilën na e kanë besuar zgjedhësit tanë dhe për këtë arsye mendojmë se koment më të thuktë nuk do përpos konstatimit se është nivel i ulët i komunikimit, në veçanti kur bëhet fjalë për bartës të funksioneve, po qe se vërtetohet autenticiteti i bisedës se janë ata”- deklaroi deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi.
Reagimi i BDI-së vjen pas publikimit të përgjimeve të fundit me të cilat LSDM-ja akuzon funksionarët për keqpërdorim të detyrës.
Për keqpërdorim të detyrës zyrtare, autorizimit, si dhe dhënies së ryshfetit LSDM-ja¬ sot ka ngritur padi penale ndaj tre personave.
“Gjatë vitit 2011, i dyshuari i parë, Sasho Mijallkov, përmes NN firmës ka marrë provizion prej 840.000 euro, 540.000 euro dhe 200.000 euro si dhuratë për nënshkrimin e marrëveshjes për furnizimin e mjeteve me një çmim më të lartë nga vlera reale. E dyshuara e dytë, Svetllana Kostova, i ka ndihmuar të dyshuarit të parë dhe ka ndërmjetësuar në lidhje me pagesën e shpërblimit dhe nënshkrimin e marrëveshjes për furnizim me pajisje. Dhe i dyshuari i tretë ka kryer pagesën e shpërblimit, me çka ka bërë vepër penale “dhëni të ryshfetit””- tha zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
Me veprimin e tre personave të dyshimtë është dëmtuar buxheti i Republikës së Maqedonisë, që në mënyrë shtesë duhet të shqyrtohet, tha Shilegov.
NAIM RAMADANI
