Botë
Të shtëna me armë në një shkollë në Finlandë, arrestohet i dyshuari i mitur
02.04.2024 11:11
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një shkollë fillore në Finlandë...

Një sulm në një shkollë fillore tronditi mëngjesin e sotëm shtetin e Finlandës. Dy fëmijë janë plagosur dhe një ka mbetur i varrë nga të shtënat në një shkollë në qytetin Vanta, vetëm pak kilometra të veri të Helsinkit. Ata kanë të njëjtën moshë me autorin 12-vjeçar të ngjarjes, i cili është ndaluar tashmë nga policia. Autori u ndalua në rrethin verior Siltamaki të kryeqytetit Helsinki në orën 10:00. Policia tha se ai kishte mbajtur një armë zjarri të cilën dhe kishte pranuar se kishte kryer të shtënat në një intervistë fillestare.
“Nuk e di ende sesi ka arritur ai ta sigurojë armën e përdorur për sulmin ndaj shkollës që numëron 800 nxënës nga klasa e parë deri tek e nënta dhe 90 pjesëtarë stafi. Fëmijët sapo kishin rinisur mësimin pas fundjavës së Pashkëve katolike. Të plagosurit janë dërguar në spital.”, tha një zëdhënës i Policisë për agjencinë e lajmeve Rojters.
“Rreziku kaloi, nuk ka më urgjencë tjetër.”, pohoi drejtori i shkollës “Viertola”, Sari Laasila, duke mos dashur të komentojë më shumë rreth incidentit. Nxënësit në këtë shkollë janë të moshave nga 7 deri në 15 vjeç. Finlanda pati dy episode të rënda të shtënash masive në shkolla brenda pak muajsh në 2007 dhe 2008, çka nxiti asokohe ashpërsimin e ligjeve për armët. Megjithatë, ajo njihet gjerësisht si vend gjuetarësh e të pasionuarish pas armëve dhe ka 430.000 pronarë të licencuar armësh në një popullsi prej 5.5 milionë banorësh, sipas statistikave të Qeverisë.
BELINDA KOKA ADEMI
