Botë

Gazë, punonjësit humanitar, viktima të sulmeve ajrore

02.04.2024 13:31

Shtatë punonjës të ndihmave të Organizatës Botërore Qendrore të Kuzhinës u vranë në një sulm ajror në Gazë...

Shtatë punonjës të ndihmave të Organizatës Botërore Qendrore të Kuzhinës u vranë në një sulm ajror në Gazë derisa po dërgonin ushqime nga pakoja e fundit e ndihmës. Mes viktimave janë tre britanikë, një shtetas australian, një shtetas polak dhe një amerikan.
 
"Australia pret përgjegjësi të plotë për vdekjen e punonjësve të ndihmës, gjë që është plotësisht e papranueshme.", - deklaroi kryeministri i Australisë, Antoni Albanese.
 
"Ata vdiqën duke bërë atë që kjo organizatë ka bërë me vite - duke ushqyer njerëzit midis kaq shumë shkatërrimeve. Shpresoj dhe kërkoj që qeveria izraelite të sqarojë rrethanat e këtij sulmi brutal sa më shpejt të jetë e mundur.”, - theksoi kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez. 
 
Punonjësit humanitar duhet të mbrohen, thekson Shtëpia e Bardhë. Agjencia Botërore e Ushqimit ka pezulluar të gjitha aktivitetet në rajon. Uria është më se e dukshme, kurse frika po rritet për shkak të ofensivës tokësore në Rafah. Ndërkohë vazhdojnë bisedimet për marrëdhëniet Izrael-ShBA.
 
“Bisedat që ne po bëjmë për Rafah nuk janë vetëm për interesat e popullit palestinez, por edhe për sigurinë afatgjate të Izraelit.”, - u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller. 
 
Irani ka njoftuar një reagim të ashpër pas një sulmi izraelit në Siri që goditi konsullatën e tij në Damask. Disa njerëz vdiqën, mes tyre një komandant i lartë i Gardës Revolucionare.
 
“Rreth shtatë persona kanë vdekur. Dy policë që ruanin ambasadën u plagosën. Derisa të pastrohet terreni, nuk mund të jap emra dhe numra të saktë. Regjimi Sionist e di më mirë se kushdo, se krimet e tilla dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar do të kenë përgjigjen e tyre në kohën e duhur.”, - deklaroi ambasadori i Iranit në Siri, Husein Akbari. 
 
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë akt kriminal të kryer nga armiku sionist, i cili çoi në vdekjen e qytetarëve të pafajshëm që po kalonin në rrugë. Ne theksojmë pozicionin tonë përkrah vëllezërve tanë dhe sigurojmë se Siria dhe Republika Islamike nuk i harrojnë armiqtë e tyre.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Sirisë, Faisal Makdad. 
 
Ndërkohë protestuesit e guximshëm në Teheran kanë bërë thirrje për hakmarrje.
 
“Izraeli kësaj here sulmoi drejtpërdrejt, me fjalë të tjera, shpalli luftë. Përgjigja jonë duhet të jetë publike dhe e qartë.”, - u shpreh një protestues.
 
Tel Avivi, i cili rrallë i pranon sulmet e tilla, tha se nuk kishte asnjë koment për incidentin në Siri. Ai më parë fajësoi Iranin për një sulm me dron në Izraelin jugor.
 
BELINDA KOKA ADEMI