Botë
Komisionet për arsim nga Shqipëria dhe Kosova, propozim-ide për ditë kombëtare të drejtshkrimit
02.04.2024 14:47
Komisionet parlamentare për arsim nga Shqipëria dhe Kosova kanë shqyrtuar në Prishtinë...

Komisionet parlamentare për arsim nga Shqipëria dhe Kosova kanë shqyrtuar në Prishtinë zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet dy Qeverive në sferën e arsimit. Me këtë rast u vu theksi te globalizimi i teknologjisë dhe ndikimi i saj te gjuha shqipe, si dhe u prezantua ideja për ditën kombëtare të drejtshkrimit.
“U përmend çështja e globalizimit të teknologjisë se si po reflektohet kjo te gjuha, që vazhdon të mbetet themeli mbi të cilin ne e ndërtojmë identitetin tonë kombëtar. Dhe pika e dytë ka të bëjë me një ide që të kemi një ditë kombëtare të drejtshkrimit, e cila synon të sensibilizojë edhe shoqëritë respektive edhe mbarë kombin për nevojën që të kemi një kujdes shumë më të madh sa i përket gjuhës dhe kjo lidhet me identitetin, dhe kjo pastaj mund të lidhet qoftë me ditën e alfabetit qoftë me olimpiadën e gjuhës shqipe që organizohet në Shqipëri.”, - deklaroi kryetari i Komisionit për Arsim – Kosovë, Ardian Gola.
“Ka ardhur momenti që këto dy projekte që janë nisma që do të duan edhe përshtatje, por edhe një vullnet për t’i vënë në jetë. Them se shumë shpejtë do t’i konkretizojmë dhe do të dalim para shqiptarëve edhe me një krenari se e morëm një gjë përsipër dhe po e çojmë deri në fund.”, - theksoi kryetarja e Komisionit për Arsim – Shqipëri, Flutura Açka.
Njëherit u paralajmërua mundësia që të mbahet një mbledhje e përbashkët e dy komisioneve parlamentare me ministritë përkatëse, për të parë se sa janë zbatuar marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit.
GYLTENE SINANI
