Botë
Vlorë, përleshje mes grupeve rivale, tre të vrarë
07.04.2015 18:03
Qyteti bregdetar i Vlorës është “përgjakur” nga një përplasje mes bandave rivale...

Tre persona mbetën të vrarë, ndërsa një person i katërt mbeti i plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e jashtme të lokalit “Adore”, kur nga dy makina BMW u qëllua me kallashnikov në drejtim të dy të rinjve, Alfred Velaj dhe Haki Rakipaj, të cilët ndodheshin të ulur në lokal.
Biseda ka degjeneruar në fyerje dhe më pas njëri prej autorëve ka dalë nga lokali dhe ka qëlluar më armë në drejtim të dy viktimave, Velaj e Rakipaj.
Por, dy të rinjtë janë kundërpërgjigjur, duke qëlluar me pistoletë kundrejt autorëve, e për pasojë humbën jetën Albi Limaj dhe u plagos Aleksandër Llanaj.
Megjithatë, pavarësisht rezistencës, Velaj dhe Rakipaj nuk mundën t’i rezistonin plagëve të marra, duke ndërruar jetë.
Deri tani janë arrestuar dy persona, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim.
Pistat e kësaj ngjarje janë disa, që nga sherri i çastit, te një konflikt i vjetër, e deri te larje hesapesh për çështje trafiqesh të ndryshme.
Sipas policisë, pjesa më e madhe e personave të përfshirë në këtë konflikt janë persona me precedentë penale për vepra të ndryshme.
LULJETA NDOKA
