Maqedoni

Zgjedhjet 2024, TVM2, gati për prezantimin e fushatës presidenciale

03.04.2024 09:39

Të enjten do të fillojë fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale e bashkë me to edhe obligimet ligjore të Servisit Publik...

Të enjten do të fillojë fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale e  bashkë me to edhe obligimet ligjore të Servisit Publik, që përmes edicioneve informative dhe debateve, të bëjë mbulimin mediatik të procesit zgjedhor, sipas rregullativës zgjedhore. Ashtu siç kemi vepruar që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, edhe në ditët sa do të zgjasë fushata zgjedhore, TVM2 do të sigurojë mbulim të procesit zgjedhor në mënyrë të balancuar, të drejtë e të paanshëm, në të gjithë programin e tij, duke mundësuar kushte të njëjta për qasje të barabartë, për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. 

Sipas nenit 76 të Kodit Zgjedhor, “Servisi publik është i detyruar të sigurojë përfaqësim të adekuat të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore, më saktë, 30% e kohës në edicionet qendrore informative do t’iu kushtohet informacioneve nga ngjarjet e ditës në vend dhe botë, 30% e kohës ndahet për aktivitetet e partive politike në pushtet, 30% e kohës për aktivitetet e partive politike në opozitë dhe 10% për aktivitetet e partive politike, që nuk janë të përfaqësuara në Kuvendin e RVM-së.”. 
 
Minutazhi përkatës për prezantimin e secilit kandidat për president të secilës parti pjesëmarrëse apo koalicioni, në ditarët televizivë, përcaktohet me ligj. TVM2 do të respektojë në tërësi edhe obligimet që dalin nga neni 76, alinea 12 e Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, “Që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në mbajtjen e tyre, informacionet rreth aktiviteteve të rregullta të organeve shtetërore, të komunave dhe qytetit të Shkupit, institucioneve shtetërore, si dhe aktivitetet e personave juridikë dhe të tjerëve, që sipas ligjit kryejnë funksione publike, nuk guxojnë të jenë në funksion të prezantimit mediatik zgjedhor të asnjë subjekti politik.”.
 
Duke pasur parasysh të drejtën e patjetërsueshme të qytetarëve për informim dhe për qëndrimet e të gjitha subjekteve relevante politike, si dhe ndryshimet në qëndrimet dhe politikat e këtyre subjekteve, veçanërisht në periudhën e zgjedhjeve, TVM2 në kuadër të emisionit politik “Zoom”, do të fokusohet në emetimin e debateve zgjedhore dhe intervistave përmes të cilave qytetarët më lehtë do të mund të kuptojnë qëndrimet e kandidatëve  për president dhe  të partive politike garuese në zgjedhjet presidenciale. Nga fillimi i fushatës deri në përfundimin e saj, TVM2 planifikon të realizojë intervista me pjesëmarrjen e kandidatëve për president, si dhe përfaqësuesve të partive garuese në zgjedhje. Në emisionin politik  “Zoom”, gjithashtu do të analizohet edhe ecuria e procesit zgjedhor me ekspertë e analistë të fushës, gjithmonë në funksion të informimit të qytetarëve. 
 
TVM2 në pajtim me ndryshimet në Kodin zgjedhor, gjatë këtij procesi zgjedhor do të respektojë obligimin ligjor për qasje mediatike edhe për personat me aftësi të kufizuara, në kuadër të një edicioni informativ, si dhe një përmbajtje programore  rreth procesit zgjedhor. Gjithashtu, kandidatët  për president kanë të drejtë ligjore të shfrytëzojnë edhe minutazhin e caktuar si pjesë e “Prezantimit politik  zgjedhor pa pagesë”, me minutazh të njëjtë për të gjithë pjesëmarrësit që duan ta shfrytëzojnë të njëjtin. Nuk do të shfrytëzohen për çfarëdolloj marketing politik të asnjë partie, emisionet e tjera në TVM2, përfshirë emisionin e mëngjesit, emisionet arsimore, shëndetësore, ato për fëmijë e të rinj dhe emisionet zbavitëse. 
 
TVM2 falënderon partitë politike për bashkëpunimin korrekt gjatë periudhës parazgjedhore të cilat iu përgjigjën pozitivisht ftesës së TVM2 për pjesëmarrje në debatet zgjedhore, duke uruar që bashkëpunimi të jetë po aq konstruktiv edhe gjatë fushatës për t’u shpalosur platformat zgjedhore të kandidatëve  për president. TVM2  është  gjithmonë në shërbim të shikuesve dhe të  drejtës së tyre për t’u informuar në kohë reale e në mënyrë korrekte.