Maqedoni

Të enjten fillon fushata për presidencialet, partitë dorëzuan listat zgjedhore për deputetë

03.04.2024 10:46

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale nis nesër dhe do të zgjasë deri më 22 prill në mesnatë...

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale nis nesër dhe do të zgjasë deri më 22 prill në mesnatë. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 24 prill, të mërkurën që do të jetë ditë jopune.  Në garë për zgjedhjen e kreut të shtetit janë shtatë kandidatë.

Skadoi  edhe afati për dorëzimin e listave të deputetëve për partitë parlamentare. Shtatë parti dhe koalicione kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare fillon më 18 prill, ndërsa zgjedhjet do të mbahen më 8 maj. Ka përfunduar  edhe kontrolli i listës së zgjedhësve. Në zgjedhjet presidenciale të drejtë vote do të kenë 1.814.317 qytetarë. Për zgjedhjet parlamentare në listën zgjedhore janë regjistruar 1.815.350 zgjedhës.
 
“Sigurimi i zgjedhjeve fer dhe demokratike nuk është detyrë vetëm e KShZ-së ose cilitdo subjekt tjetër. Kjo kërkon angazhim kolektiv dhe përkushtim nga të gjitha palët e përfshira duke i kyçur edhe partitë politike, organizatat qytetare dhe çka është me rëndësi, nga të gjithë qytetarët.”, - deklaroi Aleksandar Dashtevski nga KShZ.