Botë
Lindja e Mesme, dënohen sulmet ndaj humanitarëve
03.04.2024 12:02
Ambasadorët e Iranit dhe Sirisë në Kombet e Bashkuara drejtuan gishtin nga Shtetet e Bashkuara...

Ambasadorët e Iranit dhe Sirisë në Kombet e Bashkuara drejtuan gishtin nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të sulmit ajror izraelit në konsullatën iraniane në Damask, ku u vranë të paktën dy gjeneralë iranianë dhe pesë oficerë.
Teherani thotë se rezervon të drejtën për të marrë një përgjigje vendimtare.
"Ne i apeluam Këshillit për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe përkeqësimin e tensioneve që minojnë paqen dhe sigurinë rajonale.", tha ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së për Lindjen e Mesme, Azinë dhe Paqësorin, Mohamed Khaled Kiari.
“Republika Islamike e Iranit ka treguar një përmbajtje të konsiderueshme, por është e domosdoshme të pranohet se ka kufi për një durim të tillë. Regjimi okupator duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për pasojat e tij.”, tha ambasadorja e Iranit në OKB, Zahra Ershadi.
“Autoritetet izraelite nuk do ta kishin kryer këtë agresion nëse nuk do të ishte për mbështetjen e verbër të Shteteve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara janë plotësisht përgjegjëse për këto sulme.”, tha ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Qusai Al-Daha.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan që Izraeli të mbajë përgjegjësi për sulmin ndaj shtatë punonjësve humanitarë nga organizata "Kuzhina Qendrore Botërore”. Dhe presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, ka kritikuar ashpër Izraelin, duke thënë se Tel Avivi nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur punonjësit e ndihmave. Ushtria izraelite hapi një hetim, duke e justifikuar aktin si identitet të gabuar.
“Sulmi nuk është kryer me qëllim të dëmtimit të punonjësve të ndihmës. Ishte një gabim që pasoi një keqidentifikim natën, në kohë lufte, në kushte shumë komplekse. Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime urgjente për të siguruar që të bëhet më shumë për të mbrojtur punëtorët. Izraeli është në luftë me Hamasin, jo me popullin e Gazës.”, tha gjeneral-lejtnanti, Herzi Halevi, shefi ushtarak i Izraelit.
Mijëra demonstrues vazhdojnë të protestojnë para ndërtesës së Kneset-it në Jerusalem, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe një marrëveshje për lirimin e dhjetëra pengjeve që janë mbajtur nga Hamasi që nga 7 tetori.
