Maqedoni
Gostivar, filloi aplikimi i parkimit zonal
07.04.2015 18:15
Pas paralajmërimeve dhe përgatitjeve të duhura, sot në Gostivar ka filluar parkimi zonal i veturave me aktivizimin e bllokatorëve...

Pas paralajmërimeve dhe përgatitjeve të duhura, sot në Gostivar ka filluar parkimi zonal i veturave me aktivizimin e bllokatorëve për automjetet që nuk respektojnë parkimin me pagesë.
Muajt e kaluar, parking kanë paguar vetëm disa persona, për këtë, punonjësit e njësitit të parkingjeve vetëm ditën e sotme kanë bllokuar me dhjetëra vetura, pasi pronarët e automjeteve paraprakisht nuk kishin paguar parking përmes SMS porosive.
Pas bllokimit të automjetit pronari obligohet të paguaj gjobë prej një mijë denarëve dhe nëse brenda një ore sërish nuk e paguan edhe bllokimin, atij automjeti i merret nga karrotreci.
Lulzim Selami, shef i Parkimit Zonal në Gostivar, ka ftuar të gjithë qytetarët që në zonat për parkim, në bazë të çmimores së definuar të bëjnë pagesën për parkim, sepse në të kundërtën do t’u shqiptohen dënime dhe nuk do të tolerohet askush, thotë Selmani.
Qyteti i Gostivarit është i ndarë në dy zona për parkim, në atë “të kuqe” dhe “të gjelbër”. Për zonën “e kuqe”, konkretisht për pjesën qendrore të qytetit, për një orë parkim çmimi është 25 denarë, kurse për zonën “e gjelbër”-zona periferike e qytetit, parkimi për një orë kushton 10 denarë.
Parkimi do të paguhet prej të hënën deri të shtunën edhe atë e hënë-e premte prej orës 7 në mëngjes e deri orën 21 në mbrëmje, kurse të shtunën prej orës 7 të mëngjesit e deri në orën 14 të pasdites.
Të dielën dhe në ditët festive parkimi nuk do të paguhet.
Për transportuesit publik parkimi zonal nuk vlen. Për taksitë dhe furgonat mbetet procedura e deritanishme që paguhet që me marrjen e licencës për të ushtruar bartje publike dhe ata nuk do të paguajnë parkim.
LULZIM HAZIRI
