Botë

Sulmi izraelit në konsullatën në Damask, Irani kërcënohet me sulm vdekjeprurës

03.04.2024 14:41

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli akuzohen nga Kombet e Bashkuara për sulmin ajror izraelit në konsullatën iraniane në Damask...

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli akuzohen nga Kombet e Bashkuara për sulmin ajror izraelit në konsullatën iraniane në Damask, që vrau 12 persona duke përfshirë dy gjeneralë iranianë dhe një anëtar të Hezbollahut të Libanit. Teherani thotë se rezervon të drejtën për të marrë një përgjigje vendimtare. Një zëdhënës i Gardës Revolucionare të Iranit thotë se Izraeli do të marrë një "goditje vdekjeprurëse".
 
“Republika Islamike e Iranit ka treguar një përmbajtje të konsiderueshme, por është e domosdoshme të pranohet se ka kufi për një durim të tillë. Regjimi okupator duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për pasojat.”. - deklaroi ambasadorja e Iranit në OKB, Zahra Ershadi.
 
“Autoritetet izraelite nuk do ta kishin kryer këtë agresion nëse nuk do të ishte kishte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara janë plotësisht përgjegjëse për këto sulme.”, - theksoi ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Kusai Al-Dahaq.
 
“Shtetet e Bashkuara nuk kishin asnjë përfshirje në sulmin e raportuar dje në Siri, as nuk ishim në dijeni të tij para kohe.”, - u shpreh zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i ShBA-së në Kombet e Bashkuara, Robert A. Uod.
 
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe komuniteti ndërkombëtar kërkojnë përgjegjësi nga Izraeli për sulmin ndaj 7 punonjësve humanitarë të organizatës "World Central Kitchen". Presidenti i ShBA-së, Xho Bajden, ka kritikuar ashpër Izraelin, duke thënë se Tel Avivi nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur punonjësit e ndihmave. Ushtria izraelite hapi një hetim, duke e justifikuar aktin si identitet të gabuar.  Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë thotë se të paktën 176 punëtorë të saj janë vrarë që nga fillimi i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.
 
“Sulmi nuk është kryer me qëllim të dëmtimit të punonjësve të ndihmës. Ishte një gabim që pasoi një keqidentifikim natën, në kohë lufte, në kushte shumë komplekse. Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime urgjente për të siguruar që të bëhet më shumë për të mbrojtur punëtorët. Izraeli është në luftë me Hamasin, jo me popullin e Gazës.”, - theksoi shefi ushtarak i Izraelit, gjeneral-kolonel, Herzi Halevi.
 
Mijëra demonstrues vazhdojnë të protestojnë para ndërtesës së Knesetit në Jerusalem, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe një marrëveshje për lirimin e dhjetëra pengjeve që mban Hamasi që nga 7 tetori. 
 
FITORE DEMOLLI