Botë

Tërmet i fuqishëm në Tajvan, viktima dhe qindra të lënduar

03.04.2024 16:43

Tërmeti i fuqishëm prej 7.4 ballë të shkallës Rihter që u regjistrua në ishullin e Tajvanit....

Tërmeti i fuqishëm prej 7.4 ballë të shkallës Rihter që u regjistrua në ishullin e Tajvanit, la të vdekur të paktën 9 persona dhe më shumë se 800 të tjerë të lënduar. Nga të plagosurit, 132 janë në kontenë Hualien, pranë epiqendrës së tërmetit. Numri i të vdekurve dhe të plagosurve po rritet orë pas ore pasi 120 persona mbetën të bllokuar në ndërtesat e dëmtuara. Ekipet e shpëtimit po punojnë për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja. Qindra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Tërmeti i fortë i ndodhur në orën e hershme të mëngjesit u pasua nga 100 pasgoditje, njëra prej të cilave ishte 6.5 ballë.
 
“Jemi në gatishmëri të plotë të sigurisë. Po punojmë me kapacitet të plotë. Jemi gati të përballojmë situatën. Së bashku të gjithë punojmë.”, - deklaroi presidenti i Tajvanit, Tsai Ing-Uen.
 
Qendra e Tërmeteve në Japoni raportoi për disa valë të vogla cunami që kishin arritur në prefekturën jugore të Okinavas. 
 
“Vëzhgimet e fundit tregojnë se ekziston mundësia e tërmeteve të ngjashme. Ndaj ju lutemi kini kujdes edhe një javë. Sidomos në ditët në vijim ka një probabilitet të lartë për një tërmet më të fortë. Nëse një tërmet i fortë ndodh nën oqean, duhet të kemi kujdes nga shfaqja e një cunami.”, - theksoi Shigeki Aoki nga Agjencia Meteorologjike e Japonisë.
 
Agjencia Sizmologjike e Filipineve lëshoi një alarm për banorët e zonave bregdetare, duke u kërkuar atyre që të strehohen në vende më të larta. Tërmeti është ndjerë edhe në Shangai.
 
FITORE DEMOLLI