Maqedoni

Filloi fushata për zgjedhjet presidenciale, në garë për ulësen e presidentit, 7 kandidatë

04.04.2024 13:31

Zyrtarisht filloi sot fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, e cila do të zgjatë deri në mesnatë më 22 prill....

Zyrtarisht filloi sot fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, e cila do të zgjatë deri në mesnatë më 22 prill. Që në ditën e parë të fushatës, kandidatët filluan me promovimin e programit zgjedhor dhe hapjen e shtabeve. Siç dihet në garë për ulësen e presidentit janë 7 kandidatë.
 
Sipas shortit në KShZ, Stevo Pendarovski si kandidati i koalicionit të udhëhequr nga LSDM, do të ketë numri një në fletëvotime. Gordana Siljanovska Davkova, kandidate e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit do të ketë numrin dy. Stevço Jakimovski nga GROM-i do të ketë numrin tre. Numrin katër do ta ketë Bujar Osmani nga Fronti Evropian, i udhëhequr nga BDI. Biljana Vankovska Cvetkovska nga E Majta do të ketë numrin 5, numrin 6 Arben Taravari nga Koalicoini VLEN dhe numrin 7 Maksim Dimitrievski, kandidat i “E Di”.
 
Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 8 maj, mes dy kandidatëve që do të kenë më së shumti vota. Ndërsa më 8 maj mbahen edhe zgjedhjet e 11-ta parlamentare. Për zgjedhjet presidenciale të drejtë vote do të kenë  një milion e 814 mijë e 317 votues, ndërsa për ato parlamentare një milion e 815 mijë e 350 votues. Fushata për zgjedhjet parlamentare fillon më 18 prill dhe do të përfundojë më 6 maj kur fillon heshtja zgjedhore.
 
GYLTENE SINANI