Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale, Osmani: Mbështetni "Presidentin Evropian"

04.04.2024 13:45

Kandidati për President nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI, Bujar Osmani...

Kandidati për President nga Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI, Bujar Osmani, në ditën e parë të fushatës zgjedhore tha se fillon një rrugëtim shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e vendit për një jetë më të mirë. Me slloganin e "Presidentit Evropian", Osmani kërkoi mbështetjen e qytetarëve për të vazhduar procesin eurointegrues të vendit dhe anëtarësimin e RMV-së deri në vitin 2030. Sipas tij, simbolikë e rëndësishme është që data e fillimit të fushatës zgjedhore përkon me datën e anëtarësimit të vendit në NATO.
 
“Këtë mision e fillova nga selia e NATO-s, por shpresoj se do ta përfundoj si president në selinë e BE-së, i ulur në tavolinën e Këshillit Evropian si anëtarë fuqiplotë. Të dashur miq, vendi ynë është në udhëkryq, një rrugë të çon drejt së ardhmes së ndritshme, të begatë evropiane, kurse rruga tjetër të çon drejt izolimit, paqartësisë dhe paperspektivës. Andaj, këto zgjedhje nuk janë zgjedhje të rëndomta, janë referendum popullor për të ardhmen e vendit tonë.”, - deklaroi kandidati për president, Bujar Osmani.
 
Ai vlerëson se mundësia që kishte për udhëheqjen e proceseve të deritanishme integruese në vend i ka mundësuar përvojë, njohuri, kredibilitet dhe kontakte me qendrat e vendimmarrjes. Tha se do të përkushtohet që të rrumbullaksojë ëndrrën e çdo familje, ëndrrën e çdo qytetari të vendit për një të ardhme të ndritshme.
 
FLORIJE KAMBERI