Botë

Rripi i Gazës, situata humanitare po bëhet më kritike

04.04.2024 16:07

Anëtari i kabinetit ushtarak izraelit, Beni Gants i ka bërë thirrje kryeministrit Netanjahu...

Anëtari i kabinetit ushtarak izraelit, Beni Gants i ka bërë thirrje kryeministrit Netanjahu që të pajtohet me zgjedhje të parakohshme këtë vit, duke argumentuar se presioni nga bashkësia ndërkombëtare po rritet dhe qytetarët e zhgënjyer po dalin në rrugët e Tel Avivit.
 
“Përcaktimi i një date të tillë do të na mundësojë të vazhdojmë përpjekjet tona ushtarake, duke sinjalizuar qytetarët e Izraelit se duam të rikthejmë besimin e tyre tek ne.”, - deklaroi ministri i Kabinetit Ushtarak të Izraelit, Beni Gants. 
 
Trupat e punonjësve humanitarë që vdiqën në një sulm ajror në Gazë, të cilin Izraeli e quajti një gabim të rëndë, janë dërguar në Egjipt. Bashkësia ndërkombëtare dhe liderët po kërkojnë përgjegjësi dhe hetim të pavarur.
 
“Ky shënjestrim është një krim tronditës dhe shkelje e ligjeve ndërkombëtare dhe normave humanitare.”, - theksoi kryeministri i Katarit, Mohamed bin Abdulrahman Al Thani.
 
“Ne po kërkojmë sqarim më të detajuar duke pasur parasysh se qeveria izraelite e dinte për veprimin dhe rrugën e kësaj organizate në Gazë.”, - u shpreh kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez.
 
“Dëshiroj që transparenca dhe të gjitha gjetjet të bëhen publike në mënyrë që të zbulojmë saktësisht se si mund të ketë ndodhur kjo.”, - deklaroi kryeministri i Australisë, Antoni Albanese. 
Izraeli përgjegjësinë ua transferon ushtarëve për atë që e cilësojnë si aksident.
 
“Ajo që duhet të kuptojmë është se ka rregulla dhe rregullore shumë të qarta. Ushtarët duhet t'u përmbahen atyre dhe kur nuk e bëjnë këtë, ata janë përgjegjës për veprimet e tyre.", - theksoi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes Izraelite, nënkolonel Lerner. 
 
Me kritika të ashpra edhe ShBA-ja. 
 
“Punonjësit e ndihmës dhe të gjithë civilët në terren duhet të mbrohen, kjo është diçka që ne ua kemi thënë atyre vazhdimisht gjatë muajve të fundit.”, - u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller. 
 
Situata humanitare në Gazë po bëhet më kritike pasi që anija e ndihmës u kthye në Qipro pas vendimit të Organizatës Botërore Qendrore të Kuzhinës, që të pezullohen aktivitetet e tilla pas vrasjes së punëtorëve humanitarë. Së paku 33.037 palestinezë janë vrarë dhe 75.668 janë lënduar në Gazë që nga fillimi i ofensivës ushtarake izraelite në përgjigje të sulmit të 7 tetorit, nënvizon Ministria e Shëndetësisë në përditësimin e saj të fundit. Shumica e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.
 
LEUNORA KALIQI