Botë

Lufta Izrael – Hamas, Netanjahu hap rrugët për ndihmat humanitare

05.04.2024 09:14

Izraeli miraton vendimin për hapjen e rrugëve të ndihmave humanitare për Rripin e Gazës...

Izraeli miraton vendimin për hapjen e rrugëve të ndihmave humanitare për Rripin e Gazës. Tel-Avivi do të lejojë dërgimin "e përkohshëm" të ndihmave, përmes portit të Ashdod dhe vendkalimit në Erez. 

Qeveria e Izraelit thekson se hapja e rrugëve për ndihmat humanitare bëhet me qëllimin për të shmangur një rritje të krizës së urisë, si dhe për të siguruar vazhdimin e luftimeve kundër Hamasit. Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur këtë vendim të qeverisë së Tel-Avivit dhe bëjnë thirrje për mbrojtje të civilëve. Lëvizja e shtetit hebre vjen si pasojë e telefonatës kërcënuese të presidentit të ShBA-së, Xho Bajden ndaj liderit izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Xho Bajden i ka dhënë kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu, një ultimatum: “Mbroni civilët në Gazë, në të kundërtën Uashingtoni do të ndalojë dhënien e ndihmave për Izraelin”.
 
“Sulmet ndaj punonjësve humanitarë në Gazë dhe situata e përgjithshme humanitare janë të papranueshme. Izraeli duhet të shpallë dhe zbatojë një sërë hapash specifikë, konkretë dhe të matshëm për të trajtuar dëmtimin e civilëve, vuajtjet humanitare dhe sigurinë e punonjësve të organizatave humanitare.”, thuhet në deklaratë.
 
Bajdeni, i cili e ka etiketuar veten si sionist, e mbështeti me vendosmëri Izraelin në ditët e para të hakmarrjes së tij. Por, ndërsa numri i të vdekurve në Gazë u rrit dhe lufta u zgjerua me fronte të reja në Liban dhe Jemen, administrata amerikane theksoi domosdoshmërinë e mbrojtjes së jetës së civilëve.