Botë
Gazë, Izraeli rihap kalimin për ndihmat humanitare
05.04.2024 16:33
Kalimi Erez në Gazën veriore pritet të marrë dërgesat e para të ndihmave humanitare në enklave, të dielën....

Kalimi Erez në Gazën veriore pritet të marrë dërgesat e para të ndihmave humanitare në enklave, të dielën. Kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi rihapjen e kalimit për herë të parë që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit. Dërgesat e ndihmave do të fillojnë gjithashtu të derdhen në portin Ashdod të dielën, thanë zyrtarët. Vendimi i kabinetit të sigurisë erdhi mes presionit të shtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët pas sulmeve vdekjeprurëse të Izraelit ndaj autokolonës Ëorld Central Kitchen.
“Presidenti e ka bërë të qartë se politikat tona në lidhje me Gazën do të varen nga vlerësimi ynë se sa shumë ndryshime po bëjnë dhe zbatojnë izraelitët për të përmirësuar situatën në Gazë për popullin palestinez dhe për humanistët.”, - theksoi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Xhon Kirbi.
Netanjahu paralajmëroi se nëse nuk e fiton luftën me Hamasin, kjo do të kishte implikime të mëdha për Shtetet e Bashkuara. Ai shtoi se është i gatshëm për të gjitha llojet e skenarëve, duke përfshirë një përgjigje të mundshme iraniane.
“Irani ka vite që punon kundër nesh, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes përfaqësuesve të tij, kështu që ne po luftojmë si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Ne do të mbrohemi dhe do të veprojmë sipas parimit të thjeshtë – kushdo që na dëmton ose planifikon të na dëmtojë, ne do të hakmerremi.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Hamasi ka akuzuar se heshtja ndërkombëtare për masakrat, i jep Izraelit mbështetje. Ata paralajmërojnë se veprimet e Izraelit me aleatin e ShBA-së çojnë në destabilizimin e rajonit.
“Heshtja ndërkombëtare dhe pamundësia për të vepruar ndaj këtyre masakrave është drita jeshile mbi të cilën mbështetej pushtimi nazist. Sulmi i fundit në konsullatën iraniane në Damask është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar. Administrata amerikane, së bashku me Izraelin, mbajnë përgjegjësi të plotë për këto krime që çojnë në destabilizimin e rajonit.”, - u shpreh zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan.
Tel Avivi njoftoi se së shpejti do të shpallë publikisht dhe në mënyrë transparente detajet e hetimit për rastin e humanistëve të vdekur. Kreu i grupit të ndihmës kërkon një hetim të pavarur. Derisa luftimet në enklavë vazhdojnë, raundi i fundit i negociatave në Kajro mbetet i bllokuar, konfirmoi Hamasi.
BELINDA KOKA ADEMI
