Botë

Rusia sulmon me dronë Ukrainën, tetë të vrarë në lindje të Ukrainës

05.04.2024 16:56

Rusia sulmoi me dronë disa rajone të Ukrainës, duke i vrarë tetë njerëz...

Rusia sulmoi me dronë disa rajone të Ukrainës, duke i vrarë tetë njerëz, përfshirë katër në rajonin e Harkivit, ku u goditën dy ndërtesa banimi nga një sulm i dyfishtë. Kryetari i Harkivit Ihor Terekhov deklaroi se ekipet e shpëtimit po tentonin t’i shpëtonin njerëzit e ngecur në një ndërtesë më të vogël në afërsi, kur armiku goditi përsëri me drone.  Ai shtoi se ekipet e shpëtimit ia dolën ta shpëtojnë një civil të ngecur nën gërmadha.
 
“Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë, shpresoj të jenë të suksesshme dhe personat që ndodhen nën rrënoja të tërhiqen. Një person tregoi shenja jete, ekipet e shpëtimit dhe ato mjekësore po bëjnë gjithçka për ta shpëtuar.”, - deklaroi kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov.
 
Tre nga katër njerëzit e vrarë në Harkiv ishin punëtorë të ekipeve të shpëtimit, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes pas sulmit të parë dhe u goditën nga sulmi i dytë.
 
“Isha duke fjetur dhe gjithçka ndodhi në gjumë. U zgjova pasi ra pjesë e murit mbi mua. Çfarë mund të shihja!?”, - tha një qytetare.
 
“Është shumë errësirë, është e pamundur të shohësh diçka, përveç dritareve të thyera. Asgjë s’ka mbetur nga shpërthimi. Por falë Zotit, është mirë që jemi gjallë.”, - u shpreh një qytetar.
 
Ndërkohë, anëtarët e NATO-s ranë dakord t'i japin Ukrainës më shumë sisteme antiajrore për t'u mbrojtur kundër sulmeve me raketa balistike ruse. 
 
“Aleanca e kupton urgjencën. Ne do të shqyrtojmë rezervat tona për të parë nëse mund të ofrojmë më shumë sisteme kundërajrore, veçanërisht “Patriot”, por edhe municione dhe pjesë këmbimi për sistemet tashmë në Ukrainë.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. 
 
Stoltenbergu propozoi gjithashtu krijimin e një fondi prej 100 miliardë eurosh për të mbështetur ushtrinë e Ukrainës gjatë pesë viteve, gjë që tërhoqi reagime të ndryshme në aleancë, e cila merr vendime me konsensus. 
 
BELINDA KOKA ADEMI