Ohër, të huajt kanë interesim të madh për blerjen e banesave

06.04.2024 16:36

Interesimi i të huajve për të blerë patundshmëri në Ohër....

Interesimi i të huajve për të blerë patundshmëri në Ohër, gjithnjë e më shumë po rritet. Lokacionet më atraktive janë në qendër të qytetit, pjesa e vjetër e qytetit dhe në veçanti kërkohen apartamente dhe shtëpiza në periferi, në vendbanimet e reja përreth bregut të liqenit të Ohrit.

Interesimi i të huajve për të jetuar në Ohër është rritur dekadën e fundit, duke e konsideruar Ohrin si një vend i çmuar që vlen të vizitohet.

“Në dekadën e fundit është e dukshme prania e të huajve që zgjedhin Ohrin si destinacion alternativ apo qëndrim të përkohshëm turistik. Kemi shumë klientë të huaj nga Holanda, Gjermania, Anglia, SHBA, Kanadaja dhe Turqia. Vitet e fundit, Ohri është shfaqur gjithmonë në revistat më të njohura turistike. Tani e fundit, revista ‘Mirror’, e përshkruan Ohrin si perlën e çmuar të fshehur në Evropë dhe e rekomandojnë si një vend që duhet vizituar”. – thotë agjentja për patundshmëri, Natasha Spaseska.

Patundshnëritë në Ohër janë veçanërisht tërheqëse për punonjësit dixhitalë, njerëz që punojnë online për kompani të huaja, të cilët me ato paga mund të përballojnë një jetë komode në vendin tonë, por të interesuar për patundshmëri në bregun e Liqenit janë edhe pensionistët.

“Në revistën ‘Travel of Pet’, Ohri dhe Shkupi rangohen si më të mira për nomadët dixhitalë, si vend për të jetuar, sepse këtu standarti i jetesës është më i ulët në krahasim me vendet evropiane dhe në botë, kështu që këtu jeta është më e lirë dhe mund të kenë jetë komode. Të mos harrojmë edhe të huajt në pension zgjedhin edhe Ohrin, sepse me pensionet e tyre mund të kenë një jetë më komode.“ – shprehet Natasha Spaseska.

Më të kërkuara janë apartamentet apo shtëpitë e vogla për pushime prej 30 deri në 50 metra katrorë, të cilat blerësit i përdorin kryesisht për qëndrime afatshkurte, pushime dhe rekreacion. Ndërsa nga agjencionet e patundshmërive thonë se edhe interesimi për ndërtimin e objekteve me kualitet të lartë viteve të fundit është rritur. (Ilmije Zhaku, TVM2)