Anëtarësimi i Kosovës në KE, Vuçiq: U parandalua të bëhet punë e kryer
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq....

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se është parandaluar një tentim për ta kryer çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas tij u “bënë përpjekje të premten për të zgjidhur gjithçka” për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, para takimit të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate këtë muaj, ku do të votohet për anëtarësimin apo jo të Kosovës.
Por sipas tij "përpjekjet u parandaluan falë ndërhyrjes së dy vende”.
“Ata u përpoqën dje, para vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të përfunduar gjithçka, dhe falë ndërhyrjes së dy vendeve, kjo nuk ndodhi”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.
Presidenti serb poashtu paralajmëroi se më 7 prill do të udhëtojë në Paris, ku do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron.
“Ne po përballemi me ditë të vështira në lidhje me vendimet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Prishtinës në Këshillin e Evropës, në Kombet e Bashkuara, me presionin e ashpër nga rajoni, Evropa dhe bota për këtë çështje, por vendi duhet të zhvillohet dhe të ecë përpara”, tha Vuçiq.
Serbia e ka vazhduar kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, megjithëse asaj i kërkohet të mos e kundërshtojë anëtarësimin e vendit fqinj në asnjë organizatë ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen Bazë që palët e arritën në dialogut e ndërmjetuar nga BE-ja në shkurt të vitit 2023.
