Kharkiv, 6 të vrarë nga sulmet ruse

06.04.2024 19:21

Gjashtë civilë janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur...

Gjashtë civilë janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur, si pasojë e një sulmi rus në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, njoftuan zyrtarët rajonalë.

Policia ukrainase tha se sulmi u krye me drone, ndërsa publikoi pamje të zjarrit të shkaktuar nga sulmi në rrugë pranë një ndërtese banimi.

“Mëngjesin e sotëm u vranë gjashtë persona dhe u plagosën 10 të tjerë, si pasojë e një sulmi natën në rrethinën Shevçenskivski”, tha në Telegram kryetari i Kharkivit, Ihor Terekhov.

Sipas tij nga ky sulm u goditën zonat e banimit, duke shtuar se “së paku nëntë ndërtesa të larta, tre konvikte, një numër i ndërtesave administrative, një dyqan, një pompë e benzinës dhe vetura u dëmtuan”.

Ushtria ukrainase tha se kundërajrorët e saj i shkatërruan 28 prej 32 dronëve dhe tre prej gjashtë raketave të shkrepura nga Rusia.

Në Kharkiv, edhe  të mërkurën u vranë katër persona si pasojë e një sulmi me dronë dhe u dëmtuan rëndë blloqe banesash.

Nga zyra e presidentit Volodymyr Zelensky, nuk e kanë përjashtuar mundësinë që Kharkivi të jetë shënjestra më e mundshme e një ofensive ruse në maj apo qershor. Edhe në kryeqytetin e Kievit, u lëshuan sirena për disa orë, nga frika e sulmeve ruse.