Osmani në Tetovë, nacionalistët barazinë e shohin si humbje monopoli
Risia e këtyre zgjedhjeve është Fronti Evropian...

Risia e këtyre zgjedhjeve është Fronti Evropian, të cilit shumë vite më pas do t’ia kuptojmë rëndësinë dhe peshën që ka. Kështu ka deklaruar në iftarin e organizuar në Tetovë nga Partia Demokratike Europiane, kandidati për president i këtij koalicioni të udhëhequr nga BDI, Bujar Osmani.
Osmani tha se aktualisht gara zhvillohet ndërmjet dy koncepteve, garë ndërmjet nacionalizmit shovinist që kërkon 61 deputetë për ti përjashtuar të tjerët nga vendimmarrja dhe konceptit alternativ të bashkëjetesës, të harmonisë multietnike, zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian.
“Ata barazinë e konsiderojnë si çështje të humbjes së monopolit ose të dominimit. Ne nuk i kemi marr hise askujt, ne vetëm kemi bërë përpjekje dhe luftë që të jemi të barabartë, që secili prej nesh të ketë mundësi të barabarta të jetë i suksesshëm. Secili fëmijë pavarësisht prej cilës familje vjen, çfar kushte ka, prej ku e ka prejardhjen, të ketë mundësi të njëjta me secilin tjetër. Ky ka qenë koncepti ynë, kjo është barazia dhe drejtësia që ne e kemi kërkuar. Kjo nuk nënkupton se i kemi hyrë dikujt në hak dhe ia kemi marrë të drejtën, për shkak se jam duke e ndjekur fushatën, dhe fushata është duke vjellë vrerë.” – u shpreh Kandidat për presidnet i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani.
Sipas Osmanit, strukturat nacionaliste duan të kthejnë kohën e para 15, 20 apo 30 vitesh më parë, që të na këthehet izolimi, pasi nëse rrezikohet Marrëveshja e Prespës, apo Marrëveshja me Bullgarinë, na pret izolimi i plotë i shtetit. (Gyltene Sinani, TVM2)
