MPB, arrestohen dy persona për sulm ndaj policisë
Dy persona, janë arrestuar rreth orës 17:00...

Dy persona, janë arrestuar rreth orës 17:00 në stadiumin e futbollit në fshatin Konjare e Mesme, gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet KF “BVK Konjare” dhe KF “Kumanova”, pasi siç njoftojnë nga MPB, 20 minuta para përfundimit të ndeshjes, ka pasur një tentativë nga publiku vendas për t’u përballur fizikisht me lojtarët mysafirë, e cila është penguar nga shërbimet që sigurojnë ndeshjen.
“Gjatë ndërhyrjes dy persona kanë sulmuar pjesëtarët e Njësisë për intervenim të shpejtë të policisë. Personat që i kanë kryer sulmet, menjëherë janë arrestuar dhe është konstatuar se bëhet fjalë për F.S (33) nga Haraçina dhe N.J (26), nga Haraçina, derisa S.B (40) nga Haraçina është ndaluar për pjesëmarrje në përleshje. Në mënyrë shtesë në orën 18:00 pas kontrollit të veturës ‘Dachia Duster’, në pronësi të F.S, ndërsa drejtohej nga F.A (34) nga F.Kondovë me bashkëudhëtarin A.P (21) nga F.Kondovë, në bagazh është gjetur një pistoletë. SPB Shkup po ndërmerr masa për ndriçimin e rastit.”
Ndërkohë “PortaliX”, ku është bashkë themelues gazetari Furkan Saliu ka njoftuar se i arrestuari nga njësia speciale e policisë, është Furkan Saliu.
Furkan Saliu mohon të ketë sulmuar policinë
Ndërsa vetë Saliu në “PortaliX” ka bërë të ditur se armën që është gjetur në veturën e tij e posedon me leje, ndërsa mohon të ketë sulmuar policinë.
“Arma është me leje dhe është gjetur në veturën time. Gjatë arrestimit tim telefoni, çelësat me kanë rënë prej xhepi dhe kameramani im i ka marrë. Pa urdhër të gjykatës dhe pa qenë unë prezent si pronar i veturës është kontrolluar nga njesiti special. Vepra e cila më ngarkohet, sulm ndaj nëpunesit policor nuk mban ujë dhe asnjëherë nuk mund të dëshmohet”.
Reagojnë Shoqatat e gazetarëve dhe partitë, arrestimi i Saliut, shkelje e fjalës së lirë
Ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, duke e quajtur arrestimin e gazetarit Saliu shkelje e fjaës së lirë dhe lirisë së punës së gazetarëve.
“SHGM-ja dhe Sindikata e Gazetarëve apelojnë që çështja të zbardhet menjëherë, të mos cenohen të drejtat e kolegut Saliu dhe të mos e përdorin partitë politike në betejat e tyre ditore politike dhe për qëllime partiake të fushatës zgjedhore”, thuhet në kumtesën e organizatave të gazetarëve.
Ndaj arrestimit të gazetarit Saliu kanë reaguar edhe LSDM, kolicioni VLEN, PDSH dhe ASH, krahu i Ziadin Selës, të cilët mes tjerash kanë theksuar se në këtë mënyrë goditet profesioni i shenjtë i gazetarisë si një ndër shyllat kryesore të demokracisë.
