Maqedoni
Sindikata e shëndetësisë në protestë, të harmonizohen pagat me pagën minimale
08.04.2024 11:44
Sindikata e pavarur për shëndetësi, farmaci dhe mbrojtje sociale sot para Shtëpisë së punëtorëve...

Sindikata e pavarur për shëndetësi, farmaci dhe mbrojtje sociale sot para Shtëpisë së punëtorëve filloi protestën e paralajmëruar për punësim jo selektiv, harmonizim të pagave konform Ligjit për pagën minimale dhe rritjen e koeficienteve si shtesa në pagë. “Me protestën dëshirojmë të shprehim pakënaqësinë tonë për aneksin e panënshkruar të Marrëveshjes kolektive dhe të theksojmë pashmangshmërinë apo domosdoshmërinë e nënshkrimit të saj menjëherë pas formimit të qeverisë së re.”, tha Lubisha Karanfillovski.
Njëkohësisht, sot punonjësit e shëndetësisë do të dalin në protestë edhe para qendrave shëndetësore në mbarë vendin. Protesta është mbështetur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
“Korrigjimi në këtë moment është diku rreth 4.250 denarë në bruto ose 3.000 denarë neto dhe nëse këtë e llogarisim, do të ketë implikime financiare për të gjithë të punësuarit dhe kjo do të kushtojë diku rreth 14 deri në 15 milionë euro në nivel vjetor. Tek infermieret, përqindja e rritjes, e cila ishte shqyrtuar dhe miratuar në Qeveri, lëviz diku rreth 12 për qind rritje pagash. Nëse marrim parasysh konceptin, kjo përqindje ndryshon.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së pavarur për shëndetësi, Lubisha Karanfillovski.
“Këta punëtorë i shkollojnë në vendin tonë që të punojnë në Gjermani. Ne kemi një trend të tillë negativ viteve të kaluara, ku punëtorët tanë ikin nga Maqedonia, ndërsa në vendin tonë kanë shkollim pa pagesë dhe në këtë mënyrë po udhëhiqet një politikë e gabuar. Pagat duhet të rriten dhe këtë duhet ta marrin parasysh të gjithë funksionarët dhe të gjithë pjesëtarët e Qeverisë.”, - theksoi kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov.
