Botë
Sulmi në Zaporizhia rrit rrezikun për incident serioz bërthamor
08.04.2024 12:30
Sulmi me dron në termocentralin e Ukrainës në Zaporizhia ka rritur rrezikun e një “incidenti të madh bërthamor”...

Sulmi me dron në termocentralin e Ukrainës në Zaporizhia ka rritur rrezikun e një “incidenti të madh bërthamor”. Është ky paralajmërimi nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së.
Agjencia e mbikëqyrjes atomike e OKB-së dënoi sulmin me dron në një nga gjashtë reaktorët bërthamorë në centralin bërthamor të Zaporizhzhia të kontrolluar nga Rusia në Ukrainë, duke thënë se sulme të tilla “rrisin ndjeshëm rrezikun e një incidenti të madh bërthamor”.
Kreu i IAEA-së, Rafael Grosi, tha se ky ishte sulmi i parë i tillë që nga nëntori i vitit 2022, kur ai përcaktoi pesë parime bazë për të shmangur rrezikun bërthamor me pasoja radiologjike. “Kjo nuk mund të ndodhë!”, shkroi Grosi në llogarinë e tij X të dielën, duke u bërë apel vendimmarrësve ushtarakë dhe duke u kërkuar atyre që të përmbahen nga çdo veprim që shkel parimet themelore që mbrojnë objektet bërthamore.
Shërbimi i inteligjencës ukrainase tha se “Ukraina nuk është e përfshirë në asnjë provokim të armatosur në territorin e stacionit të pushtuar ilegalisht” dhe pretendoi se mund të ishte një sulm “i simuluar” nga pala ruse. Centrali gjigant bërthamor i mbajtur nga Rusia, me gjashtë reaktorë, është në vijën e parë të konfliktit Rusi-Ukrainë.
