Botë

Rripi i Gazës, Ushtria izraelite: Forcat u tërhoqën nga Kan Junisi

08.04.2024 17:17

Ushtria izraelite ka njoftuar se një fazë kyçe e ofensivës së saj tokësore në Rripin e Gazës ka përfunduar....

Ushtria izraelite ka njoftuar se një fazë kyçe e ofensivës së saj tokësore në Rripin e Gazës ka përfunduar. Forcat u tërhoqën nga Kan Junisi. Palestinezët që u larguan nga qyteti, që nga fillimi i ofensivës kishin shpresuar se do të mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por e gjetën qytetin në gërmadha.
 
“Kemi ardhur të shohim se çfarë ka ndodhur me shtëpinë, por nuk kemi gjetur shtëpi. Ne nuk mund të jetojmë këtu.”, - tha një person i zhvendosur nga Kan Junisi.
 
“Nuk arritëm të gjenim shtëpinë tonë, për fat të keq nuk gjetëm asgjë.”, - tha një person tjetër i zhvendosur nga Kan Junisi.
 
“Doja të shihja nëse kishte mbetur ndonjë gjë nga shtëpia. Nuk kishte shkallë në katin e tretë, kështu që vëllai im u ngjit dhe më solli disa gjëra, rroba verore për fëmijët.”, - u shpreh një qytetar i zhvendosur nga Kan Junisi.
 
Zyrtarët ushtarakë izraelitë thonë se po përgatiten për operacionet e ardhshme. Tel Avivi nuk po tërhiqet nga eliminimi i bastionit të fundit të Hamasit, në qytetin më jugor të Rafahut.
 
“Lufta në Gazë vazhdon dhe ne jemi larg ndalimit. Krerët e Hamasit janë ende të fshehur, do t'i arrijmë herët a vonë. Ne kemi plane dhe do të veprojmë kur të vendosim.”, - theksoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Izraelit, Herzi Halevi. 
 
Tërheqja nga Kan Junisi është një çështje shqetësuese në pikëpamjen e OKB-së. Organizata pret migrim masiv pas inkursionit të paralajmëruar në Rafah.
 
“Ne duhet të përgatitemi për mundësinë që njerëzit të largohen nga Rafah, sepse ka shumë pak vende ku mund të shkojnë. Ne me të vërtetë nuk kemi kapacitet, burime dhe aftësi tani.", - deklaroi koordinatori i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Jamie Mcgoldrick.
 
Ndërkohë, vazhdojnë protestat antiqeveritare në qytetet izraelite. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Netanjahut dhe kthimin e pengjeve. Bisedimet për armëpushimin në Kajro po përparojnë. Nga ana tjetër, Irani kërcënoi se të gjitha misionet diplomatike izraelite në botë mund të bëhen objektiv i sulmeve hakmarrëse. Pas sulmit të javës së kaluar ndaj ambasadës iraniane në Siri, mediat iraniane publikuan një listë të raketave që mund të arrijnë në Izrael.
 
FITORE DEMOLLI