Bosnje e Hercegovinë, NATO e shqetësuar për retorikën secesioniste

08.04.2024 21:51

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg...

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimin e aleancës për retorikën secesioniste dhe përçarëse që dëgjohet në Bosnje e Hercegovinë dhe ka shprehur mbështetjen e plotë të NATO-s për integritetin territorial të këtij shteti.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një konference për media në Bruksel së bashku me kryesuesin aktual të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq.

Ndonëse Stoltenberg nuk përmendi emra, deklarata e tij duket se u bë në referencë për udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili shpesh bën paralajmërime për shkëputjen e entitetit të Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina.

Dodik, që është nën sanksione amerikane, mban lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe kundërshton procesin e integrimit të Bosnjës në NATO.