Botë
Lista serbe thirrje për bojkot të censusit, BE-ja apel për serbët e Kosovës: Të shprehin qëndrimin në kutitë e votimit
09.04.2024 09:30
Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për thirrjen që ka bërë Lista Serbe për bojkotimin...

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për thirrjen që ka bërë Lista Serbe për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Po ashtu, përmes një përgjigje dërguar mediave, blloku evropian ka shprehur keqardhje edhe për thirrjen që serbët të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.
Blloku evropian tha se është kyçe që të zhvillohen zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës, “me pjesëmarrjen e serbëve pa parakushte”.
“Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë edhe në uljen e tensioneve. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim.”, tha BE-ja.
BE-ja tha po ashtu se që kur serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës nëntorin e vitit 2022, blloku evropian me partnerët e tij është angazhuar që serbët e Kosovës të kthehen në institucione.
“Është imperative që të kthehemi në situatën ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësorë në veri të Kosovës.”, u tha në reagim.
Më 7 prill, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – tha se nuk do të marrë pjesë në votimin e 21 prillit, kur banorët në katër komunat në veri duhet të votojnë nëse duan apo jo të shkarkojnë kryetarët shqiptarë, që u zgjodhën vitin e kaluar, në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët. Blloku evropian tha se inkurajon qytetarët që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, ndërkaq u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të intensifikojnë fushatat informuese për të gjithë banorët, në mënyrë që të gjithë të kenë informacione të mjaftueshme për këtë proces.
