Botë

Izraeli cakton datën për ofensivën në Gazë, Hamasi refuzon propozimin për armëpushim

09.04.2024 11:17

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu ka përsëritur zotimin e tij për të pushtuar qytetin Rafah në Gazën....

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu ka përsëritur zotimin e tij për të pushtuar qytetin Rafah në Gazën jugore dhe deklaroi se për këtë ka datë të përcaktuar.

Ai ka thënë vazhdimisht se Izraeli duhet të dërgojë forca tokësore në qytet, për të cilin ai thotë se është bastioni i fundit i Hamasit në zonën e rrethuar. Kjo vjen pasi Hamasi hodhi poshtë propozimin e fundit izraelit për armëpushim, pasi një zyrtar tha se nuk ishte bërë përparim në negociatat gjatë fundjavës në Kajro. 
 
“Nuk ka asnjë ndryshim në pozicionin e okupimit izraelit dhe për këtë arsye, nuk ka asgjë të re në bisedimet e Kajros.”, tha zyrtari i Hamasit, i cili kërkoi të mos identifikohej, për agjencinë e lajmeve Rojters. 
 
Komuniteti ndërkombëtar ka kundërshtuar një pushtim të Rafahut, duke argumentuar se rreth 1.4 milionë civilë që kanë kërkuar strehim atje do të jenë në rrezik. Izraeli ka këmbëngulur se ka një plan për të mbrojtur civilët. Të hënën, Netanjahu tha se kishte marrë një raport të detajuar mbi bisedimet në Kajro. Megjithatë, ai tha se operacioni Rafah ishte thelbësor për një fitore izraelite. 
 
“Ne po punojmë vazhdimisht për të arritur qëllimet tona, para së gjithash lirimin e të gjithë pengjeve tona dhe arritjen e një fitoreje të plotë ndaj Hamasit.”, tha ai në një deklaratë video. “Kjo fitore kërkon hyrjen në Rafah dhe eliminimin e batalioneve terroriste atje. Do të ndodhë – ka një datë.”, shtoi ai pa dhënë detaje.