Botë

Rripi i Gazës, banorët e Kan Junisit rrëfejnë dëmet nga Izraeli

09.04.2024 16:38

Nëpër rrënojat e rrugëve, disa banorë të Kan Junisit janë kthyer në qytet pas tërheqjes së forcave izraelite...

Nëpër rrënojat e rrugëve, disa banorë të Kan Junisit janë kthyer në qytet pas tërheqjes së forcave izraelite, duke kërkuar mbetjet e shtëpive të tyre. Gruaja e Mohamed Abu Rizeq u vra gjatë bombardimeve  izraelite dhe shtëpia iu shkatërrua. 
 
“Nuk e prisja këtë shkatërrim. Kërkesa jonë më e madhe është që ata të tërhiqen nga toka jonë. Është më mirë për ne që të kemi tenda në rrënojat e shtëpive tona sesa të zhvendosemi.”, - tha banori, Mohamed Abu Rizeq.
 
“Shkatërrimi është i madh. Kan Junisi është shkatërruar. Gjithçka duhet të rindërtohet tani. Nuk është i përshtatshëm për të jetuar kafshët, e lëre më qeniet njerëzore.”, - u shpreh banori, Abu Saif Abu Mustafa.
 
Netanjahu ndërkohë ka deklaruar se është caktuar një datë për dërgimin e trupave në qytetin jugor Rafah të Gazës, ku janë strehuar 1.4 milionë palestinezë të zhvendosur, pa specifikuar kohën. ShBA-ja i ka thënë Izraelit se nuk do të mbështesë një ofensivë në Rafah pa një plan të besueshëm për të mbrojtur civilët. Zëdhënësi i Departamentit të shtetit tha se ka një marrëveshje që është në tryezë për Hamasin dhe ne shpresojmë që ata ta pranojnë atë.
 
“Ne besojmë se qeveria izraelite është e gatshme të bëjë një marrëveshje. Ata duan të shohin pengjet e tyre të kthehen. Por ne duhet të shohim që Hamasi është i gatshëm të pranojë një marrëveshje të tillë.”, - theksoi zëdhënësi i Departamentit të shtetit amerikan, Metju Miller.
 
Udhëheqësit e Francës, Egjiptit dhe Jordanisë kanë paralajmëruar Izraelin se një sulm në Rafah do të kishte pasoja të rrezikshme. Ata kërkuan një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e robërve të mbajtur nga Hamasi. Një ditë më parë, Turqia ka vendosur të marrë "një sërë masash" kundër Izraelit derisa të arrihet një armëpushim dhe Izraeli të lejojë ndihmën e pandërprerë në Gazë, deklaroi ministri i Jashtëm turk. 
 
“Nuk mund të ketë asnjë justifikim që Izraeli të bllokojë përpjekjen tonë për të dërguar ndihma për qytetarët e uritur. Përballë kësaj situate, ne kemi vendosur të marrim një sërë masash të reja kundër Izraelit, të cilat do të zbatohen hap pas hapi pa vonesë. Masat do të vazhdojnë derisa Izraeli të deklarojë një armëpushim dhe të lejojë që ndihma humanitare e pandërprerë të arrijë në Gazë.”, - deklaroi ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.
 
Ndryshe, mbi 33 mijë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i sulmeve dhe rreth 76.000 të tjerë janë plagosur krahas shkatërrimit masiv, zhvendosjes dhe rrezikut nga sëmundjet dhe uria. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në janar nxori një vendim të përkohshëm duke urdhëruar Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gazë.
 
LEUNORA KALIQI