Ndihmat sociale, prej qershorit rritje për 10% për 36 mijë familje
36 mijë familje, shfrytëzues të ndihmave sociale, që nga qershori i këtij viti do të përfitojnë rritje prej 10% të ndihmave sociale...

Kjo masë qeveritare pritet të ndihmojë pikërisht familjet në vështirësi sociale, në përmirësimin e kushteve të tyre të vështira të jetesës.
“Është paralajmëruar rritja e ndihmave sociale prej 10% prej në qershor të këtij viti, e cila është e përkrahur nga anëtarët qeveritarë të Komisionit për Punë dhe Politikë Sociale. Prej vitit 2006, nga 2900 denarë kemi rritje të ndihmës sociale, ku deri tash ka arritur në 4266 denarë. Në rritjen e ndihmës sociale do të përfshihen rreth 36 mijë familje, të cilët janë realisht në kushte të vështira”- deklaroi udhëheqësi i Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale-Çair, Nergis Muça.
Ky paralajmërim për rritjen e ndihmës sociale është mirëpritur nga përfituesit e kësaj ndihme.
“Unë e vlerësoj mirë për qytetarët, sidomos të Komunës së Çairit, sepse një shumicë e madhe jetojmë prej rasteve sociale. Shpresoj se do të jetë edhe më mirë”- tha një shfrytëzues i ndihmave sociale.
“Na vjen mirë për këtë, sepse kemi vërtetë nevojë për ndihma sociale dhe normalisht gëzohemi të gjithë”- theksoi një shfrytëzues i ndihmave sociale.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, nga buxheti ka siguruar 112 milion e 400 mijë denarë për rritjen e ndihmës sociale dhe ndihmës së përhershme në para. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
