Botë
Ukrainë, dhjetëra të plagosur nga sulmet ruse
09.04.2024 17:25
12 persona kanë mbetur të plagosur, dy prej të cilëve fëmijë, pas sulmit rus me raketa në rajonin Poltava në Ukrainë...

12 persona kanë mbetur të plagosur, dy prej të cilëve fëmijë, pas sulmit rus me raketa në rajonin Poltava në Ukrainë gjatë goditjes së një ndërtese ku jetonin rreth 30, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Ihor Klimenko. Banorët flasin për tmerrin e përjetuar.
"Shtëpia u dogj, po ashtu edhe njerëzit. Shtëpia ishte në flakë, mbetjet e saj ishin gjithandej. Ato shkatërruan gjithçka në shtëpinë tonë, dyer, dritare. Gjithçka!", - tha banorja, Viktoria Strona.
"Isha shtrirë në dhomën time, kisha telefonin në duar. Volla, kishte një shpërthim të fortë që telefoni më fluturoi. Ishte e tmerrshme, mbesa ime 15 vjeçe flinte në katin e dytë, unë dola jashtë duke bërtitur, ajo më pas vrapoi.", - u shpreh banorja, Nadia Strona.
Edhe në rajonin e Donjeckut një person mbeti i vdekur dhe 5 të tjerë u plagosën, tha shefi i Administratës Ushtarake Rajonale, Vadim Filashkin.
Ndërkohë ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në konferencë për shtyp pas takimit me homologun e tij kinez, Uang Ji në Pekin, tha se Perëndimi po "zbaton sanksione të paligjshme" ndaj Kinës dhe Rusisë në përpjekje për të eliminuar konkurrentët e tyre.
"Kina dhe Rusia do të vazhdojnë të mbrojnë nevojën për të korrigjuar këtë situatë në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare. Për demokratizimin e këtyre marrëdhënieve dhe kthimin në ato parime që dikur ishin shpallur, të cilat Perëndimi tani po i minon rëndë me hapat e tij praktik për të zbatuar sanksione të paligjshme kundër një numri shtetesh, përfshirë edhe Rusinë.”.
Kina dhe Rusia kishin deklaruar një partneritet “pa kufi” në shkurt të vitit 2022, kur presidenti Vladimir Putin vizitoi Pekinin vetëm disa ditë para se të dërgonte dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë.
LEUNORA KALIQI
