22 vjet në OKB si IRJM, Hill: Problem polarizimi politik, jo vetëm emri
22 vjet më parë, Republika e Maqedonisë u pranua si anëtarja e 181-të e Kombeve të Bashkuara...

Me gjithë njohjen nga OKB të shtetit juridik, pas një referendumi të qytetarëve të Maqedonisë, më 8 shtator të vitit 1991, për Maqedoni të pavarur, Republika e Maqedonisë vazhdon të njihet nga OKB me referencën “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”, pasi pala greke kundërshton ende emrin kushtetues të vendit. Emri vazhdon të jetë pengesë për rrugën euroatlantike të Maqedonisë.
Ish ambasadori amerikan në Maqedoni, Christopher Hill, për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedonase thotë se Maqedonia duhet të gjejë një zgjidhje që do t’ia hapte rrugën drejt integrimit evropian dhe NATO-s.
“Dua që të zgjidhet. E di që emri i shtetit është Republika e Maqedonisë, por po ashtu e di edhe që në kontekst të negociatave mund të shtohen edhe gjëra tjera në atë propozim”- deklaroi ish ambasadori amerikan në Maqedoni, Christopher Hill.
Por, sipas Hill, tanimë nuk është problem vetëm çështja e emrit, por Maqedonia ka probleme të brendshme dhe një polarizim të dukshëm politik.
“Ka një polarizim. Nuk flas për marrëdhëniet mes maqedonasve dhe shqiptarëve, por për polarizim politik. Maqedonia ka pyetje interne me të cilat duhet të ballafaqohet dhe duhet t’i zgjidh, jo vetëm ndaj mazhorancës, e cila fitoi në zgjedhje, por edhe ndaj atyre që nuk fituan. Gjithë duhet të ndjehen si pjesë e sistemit”- theksoi Hill.
Republika e Maqedonisë deri tani ka realizuar marrëdhënie diplomatike me 170 shtete të botës, ndërsa me emrin kushtetues është e pranuar nga më shumë se 130 shtete, mes tyre edhe 3 anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, SHBA, Rusia dhe Kina. (Besa Jashari, TVM2)
