617 arkivole mbushin rrugët, mijëra njerëz në protestë kundër brutalitetit policor
Një polic i bardhë në Karolinën e Jugut të SHBA-së akuzohet për vrasjen e një afroamerikani me pistoletën e shërbimit...

Polici kishte deklaruar se kishte qëlluar me armë zjarri për vetëmbrojtje, por disa pamje të regjistruara me celular dëshmuan se agjenti ka shtënë në kohën që burri me ngjyrë ishte me kurriz nga ai dhe duke u larguar.
Ndërkohë, mijëra protestues vërshuan rrugët e Los Angjelosit me më shumë se 600 arkivole, në shenjë revolti ndaj brutalitetit policor të ushtruar mbi minoritetet. 617 arkivolet paraqesin numrin e personave të vrarë nga forcat e drejtësisë në Los Angjelos që prej vitit 2000.
"Çdo ditë vriten njerëz nga forcat e sigurisë dhe drejtësisë, ndërsa asgjë nuk po ndërmerret në këtë drejtim. Policët nuk frikohen të gjuajnë në personin tjetër, sepse ndaj personit i cili e bëri të njëjtën vepër më herët nuk u ndërmor asgjë”- tha organizatorja e protestës, Tanisha Dennard.
"Bashkëshorti im ishte i pafajshëm dhe jo i armatosur, por i qëlluar 7 herë mbrapa në shpinë nga një polic në vitin 2012. Ky është tmerri në të cilin jemi duke jetuar. Ne asnjëherë nuk do të harrojmë atë që i ndodhi atij, unë dhe dy vajzat e mia të cilat i rris me vështirësi”- theksoi bashkëshortja e një viktime, Rosie De La Trinidad.
Ngjarja në Karolinën e Jugut vjen në kohën e tensioneve midis autoriteteve të rendit në SHBA dhe komuniteteve pakicë, pas disa vrasjeve të personave me ngjyrë nga zyrtarët policorë. Vdekja e Michael Brown në Ferguson të Misurit dhe e Eric Garner në Nju Jork, vitin e kaluar, ka shkaktuar protesta kombëtare. (Leunora Kaliqi, TVM2)
