“Bomba” e XIX e LSDM-së, punësime partiake, keqpërdorime financiare
Kryetari i degës së LSDM-së në Manastir, Vasko Kovaçevski, ka publikuar “bombën” e 19-të, e cila, sipas tyre, dëshmon keqpërdorimet financiare të kryetarit të Komunës së Manastirit, Vladimir Talevskit, i cili është nga radhët e VMRO-DPMNE-së, e që ka të bëjë me kompaninë për transport të nxënësve, “Transkop”, vjedhjet e votave dhe manipulime të ndryshme në procesin zgjedhor në Manastir...

Kovaçevski publikoi edhe një herë bisedën telefonike mes ministres, Gordana Jankullovska dhe ministrit, Zoran Stavrevski, si dhe bisedën mes Vllatko Cingovskit dhe Siljan Micevskit, ku të dy bien dakord që 20 persona të votojnë në dy vendvotime të qytetit të Manastirit.
Përgjimi tjetër nxjerr në pah manipulimet dhe punësimet në kompaninë shtetërorë ELEM. Në biseda, sipas LSDM-së, dëgjohet shefi i kabinetit të kryeministrit, Martin Protuger, që flet për punësimin e 9 aktivistëve të VMRO-DPMNE-së në kompaninë shtetërore, ELEM. Në telefonatë jepen raste konkrete, duke u përmendur edhe emra biznesesh dhe inspektorësh për raste të caktuara.
“E vërteta për Maqedoninë sjell energji të re, dritë të re për ardhmërinë e Maqedonisë. Mos të lejojmë që kjo e keqe dhe katastrofë për Manastirin dhe të gjithë Maqedoninë të ndodhë përsëri”- tha kryetari i degës së LSDM-së në Manastir, Vanço Kovaçevski.
Nga LSDM-ja thonë se një audio-xhirim nxjerr në pah intervenimin e ministres, Gordana Jankullovska, që Frosina Tashevska-Remenski nga LSDM të mos emërohet si prodekane.
Në një bisedë tjetër të prezantuar, Kovaçevski thotë se dëgjohet se si Antonio Milloshovski e udhëzon kryetarin e Komisionit për Lustrim,Tome Axhiev, në çfarë mënyre të zhvillojë një procedurë për lustrim, ndërsa në një tjetër bisedë Milloshovski sqaron se personi që duhet të lustrohet është një gjyqtar nga Kërçova dhe lustrimi i tij duhet të bëhet, sepse i bën problem pushtetit.
LSDM-ja tanimë ka dorëzuar padi penale për kryetarin e Komunës së Manastirit. (Sanije Kasami, TVM2)
