Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale, kandidatët për president prezantojnë programet

11.04.2024 10:21

Vijon dita e tetë e fushatës zgjedhore. Për sot janë paraparë mitingje, debate, takime me qytetarë, konferenca për shtyp....

Vijon dita e tetë e fushatës zgjedhore. Për sot janë paraparë  mitingje, debate, takime me qytetarë, konferenca për shtyp. 
 
Kandidatët për kryetar të shtetit u shpërndanë në përpjekje për të prezantuar programin e tyre dhe për të ofruar diçka ndryshe nga kundërshtarët e tyre. 
 
Me moton “Maqedonia përsëri krenare”, kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska-Davkova do t'ia prezantojë programin zgjedhor para banorëve  të  Dollnenit, Makedonski Brodit dhe Kërçovës. 
 
Kandidati i mbështetur nga LSDM-ja dhe koalicioni, Stevo Pendarovski, sot do të ketë takim me qytetarët e Dojranit, Bogdancit, Vallandovës dhe Gjevgjelisë. 
 
Kandidatja për president nga “E Majta”, Biljana Vankovska, paralajmëroi takime me qytetarët në Kumanovë, kurse kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, kandidat nga Lëvizja “E di”, sot ndodhet në Shkup. Karvanin e aktiviteteve e vazhdon edhe kandidati i “Guximshëm për Maqedoninë”, Stevço Jakimovski. 
 
Kandidatët për kryetarë nga blloku politik shqiptar, Bujar Osmani dhe Arben Taravari, kanë paralajmëruar agjendë më aktive pas festës së Ramazanit.