Maqedoni
Specializantët shpallin grevë nga e hëna, nuk pajtohen me kushtet, kontributet e ulëta
11.04.2024 10:30
Specializantët privatë kanë shpallur grevë të përgjithshme nga e hëna....

Specializantët privatë kanë shpallur grevë të përgjithshme nga e hëna. Në njoftimin e sotëm, ata theksojnë se pavarësisht protestës së zhvilluar nga specializantët privatë më 27 mars dhe takimit me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Demiri, kërkesat e tyre ende nuk janë plotësuar.
“Në takimin me ministrin e Shëndetësisë, na është premtuar se kërkesat tona do të paraqiten në seancën e ardhshme të Qeverisë. Pas takimit me ministrin, më 3 dhe 9 prill janë mbajtur dy seanca të Qeverisë, në të cilat sipas informacioneve publike të Qeverisë, kërkesat tona nuk janë diskutuar në asnjërën prej tyre.”, thuhet në njoftim.
Prandaj, siç thuhet në njoftimin e dërguar në emër të specializantëve privatë në universitetet e shkencave mjekësore “Kiril dhe Metodij” dhe “Goce Dellçev” – Shtip, ata janë të detyruar të ndërmarrin hapin tjetër – t’i bashkohen grevës së përgjithshme nga 15 prilli.
Kujtojmë se punëtorët shëndetësorë më 8 prill në organizatën e Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, të përkrahur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) protestuan për punësim jo selektiv, përshtatje të pagave sipas Ligjit për pagë minimale dhe rritje të koeficienteve si shtesa në paga.
