Maqedoni
“Besa” shpërndan “indijanka”, kërkon dorëheqjen e Jankullovskës dhe Veljanovskit
08.04.2015 16:02
Me “indijanka” në dorë, në mes të Çarshisë së Shkupit, të rinjtë e Lëvizjes “BESA” sot reaguan ndaj akuzave të fundit të publikuara në “bombën” e opozitës...

Me “indijanka” në dorë, në mes të Çarshisë së Shkupit, të rinjtë e Lëvizjes “BESA” sot reaguan ndaj akuzave të fundit të publikuara në “bombën” e opozitës, ku kryetari i parlamentit, Trajko Veljanovski, dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, i quajtën shqiptarët si “indianë” në këtë shtet.
Ata kërkojnë nga Jankullovska t’u kërkojë falje shqiptarëve dhe njëkohësisht të japë dorëheqje të menjëhershme nga MPB-ja. Dorëheqje u kërkua edhe nga kryeparlamentari Veljanovski.
“Duke i quajtur shqiptarët “indiani”, ata kështu i kanë nënçmuar e poshtëruar të gjithë shqiptarët, me çka e kanë shprehur po atë urrejtje raciste për shqiptarët, siç e kishin dikur të bardhët për popujt indigjenë të Amerikës, të ashtuquajturit indianë. Prandaj ne të rinjtë e Lëvizjes “Besa” jemi sot këtu për të deklaruar publikisht se këtë ofendim mund ta pranojnë si të tillë vetëm ata që nuk kanë më fytyrë që t’u skuqet. Kërkojmë dorëheqjen e z. Velanovskit dhe zonjës Jankullovska që të tërhiqen nga skena politike, përveç kësaj ata u kanë borxh të gjithë shqiptarëve një kërkim falje”- deklaroi Fuat Saiti nga Lëvizja “Besa”.
Të rinjtë e Lëvizjes “Besa”, gjithashtu me dëshirën e mirë që t’i mësojnë politikanët normat elementare të sjelljes publike, do t’u dhurojnë Jankullovskës dhe Veljanovskit librin “Bie zilja për bonton”.
REXHEP QAMILI
