Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2024, Dimitrevski për shoqëri shumetnike reale
11.04.2024 13:13
Kandidati për president i Lëvizjes "E di", Maksim Dimitrievski, ka vazhduar fushatën në Tetovë...

Kandidati për president i Lëvizjes "E di", Maksim Dimitrievski, ka vazhduar fushatën në Tetovë, ku ka premtuar se nëse arrin të zgjidhet president, asnjëherë nuk do të nënshkruajë ligje, me të cilat nuk pajtohet shumica e qytetarëve. Sipas tij, presidentët e deritanishëm më shumë kanë qenë besnik të partisë se sa ndaj qytetarëve të cilët i kanë zgjedhur. RMV-ja ka nevojë për president, i cili do të dalë nga populli dhe do të jetë president në shërbim të popullit, u tha Dimitrievski tetovarëve. Ai thotë se do të angazhohet për shoqëri multietnike reale, e jo siç është tani, në shërbim të elitave politike.
“Do të angazhohem për krijimin e shoqërisë reale multietnike dhe bashkëjetesë reale, ashtu siç ishte dikur, sepse kjo shoqëri multietnike për momentin është krijuar për individë të cilët janë në pushtet. Unë dëshiroj që si president i ardhshëm i shtetit përsëri t’i përjetojmë mbrëmjet e maturës kur të rinjtë festonin së bashku, me valle maqedonase, me shotën, fije mëndafshi apo valle tjera të bashkësive etnike. Maqedonia duhet ta shfrytëzojë potencialin e saj dhe këtë kolorit të pasur të bashkësive etnike, të ndërtojë shoqëri reale multietnike në funksionin e të gjithëve.”, - deklaroi kandidati për president i Lëvizjes "E di", Maksim Dimitrievski.
Vendi aktualisht ndodhet para aktit historik, vlerëson Dimitrievski, sipas të cilit, deri tani qytetarët zakonisht gjatë zgjedhjeve janë vënë para mundësisë për të votuar për të keqen më të vogël nga e kaluara, ndërsa kësaj radhe kanë opsionin e ri që e paraqet Lëvizja “E di" dhe ai si kandidat presidencial.
FLORIJE KAMBERI
