Maqedoni

KShZ: largohen përfaqësuesit politik nga KZK

08.04.2015 16:32

Votuesit nga Pusteci ende vazhdojnë të jenë temë e nxehtë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve...

Kryetari i KSHZ-së, Nikolla Rillkovski, thotë se mund të paraqiten nga 40 ose 50 votues në një vendbanim në Komunën Qendër për të votuar edhe për referendumin për pamjen e qendrës tregtare.
 
Për momentin, në Komunën Qendër ka 43.461 votues, ndërsa numri i saktë i votuesve do të dihet pasi të mbarojë shikimi publik.
 
Nga zgjedhjet e fundit, në vitin 2014, dallimi i votuesve është për rreth 600 votues dhe Rillkovski thotë që ende do paraqiten votues nga Pusteci.     
 
“Në këtë moment mund t’u them se sigurisht që ka, mirëpo do të presim të na arrijë lista zgjedhore dhe atëherë edhe zyrtarisht do të themi se janë”- tha kryetari i KSHZ-së, Nikolla Rillkovski.
 
KShZ ka shqyrtuar dhe miratuar propozim-udhëzimin për përgatitjen,organizimin dhe zbatimin e referendumit në nivel lokal.
 
Në udhëzim është e paraparë që nga Këshilli Zgjedhor të largohen përfaqësuesit politik, duke mbetur administratorët shtetërorë dhe publik.
 
Në referendumin gjithashtu për herë të parë votuesit nuk do të shënjohen me llambë UV dhe me ngjyrë. Qytetarët do të mund të bëjnë shikim të listës zgjedhore deri më 14 prill.
 
“Shërbimi ynë profesional, që është i përgatitur, do të ndihmojë pa marrë parasysh se kompetentë janë Këshilli Komunal Zgjedhor, KShZ përsëri do të bëjë mbikëqyrje dhe do të ndihmojë në krijimin e dokumenteve të nevojshme për organizimin e referendumit”- deklaroi nënkryetari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
 
“Zgjidhjen që gjeti KShZ ishte që referendumin do ta zbatojë bordi zgjedhor, në përbërje prej 3 anëtarëve të zgjedhur nga Komisioni Zgjedhor Komunal të atyre aktual vetëm nga radhët e nëpunësve shtetërorë dhe publik”- theksoi anëtari i KShZ-së, Bedredin Ibrahimi.
 
Këshilli i Komunës Qendër, më 30 mars miratoi vendim për shpalljen e referendumit për ndryshimin me barok apo mbajtjen e pamjes së vjetër të qendrës tregtare, që do të mbahet në 78 vendvotime në këtë komunë.
 
Referendumin do ta mbikëqyrin organizata vendore dhe ndërkombëtare.
 
FLORIJE KAMBERI