Botë
Kosovë, FSK-ja merr donacion nga Gjermania prej 2.7 milionë eurosh
11.04.2024 15:51
Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar një donacion në vlerë prej 2.7 milionë eurosh nga Republika Federale e Gjermanisë...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar një donacion në vlerë prej 2.7 milionë eurosh nga Republika Federale e Gjermanisë. Në ceremoninë e pranim-dorëzimit në kazermën e FSK-së “Adem Jashari”, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se me forcimin e FSK-së forcohet paqja dhe siguria në rajon.
“Ky bashkëpunim i shkëlqyer me Republikën Federale të Gjermanisë do të vazhdojë edhe më tutje, me synim avancimin e kapaciteteve tona mbrojtëse në nivelin e standardeve të NATO-s, me qëllim për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në vend rajon dhe më gjerë.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
Ndërkaq ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, theksoi raportin e shkëlqyer mes Gjermanisë dhe Kosovës, duke shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për vazhdimin e mbështetjes për FSK-në dhe Kosovën.
“Sot lidhja mes Gjermanisë dhe Kosovës është më afër një hap, kjo po bëhet përmes zyrtarëve tanë siç janë atashetë, jam shumë i kënaqur të jem sot në këtë dhënie të donacionit të pesë kamionëve.”, - theksoi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Gjermania ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin e FSK-së, theksuan Maqedonci dhe Rohde, duke bërë të ditur se Gjermania vitin e kaluar i ka ndarë FSK-së donacione prej 3.5 milionë eurosh.
GYLTENE SINANI
