Botë
Rama viziton Parisin, në agjendë, promovimi i klimës për investime
11.04.2024 16:10
Me ftesë të presidentit francez, Emanuel Makron, kryeministri Edi Rama nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në Paris....

Me ftesë të presidentit francez, Emanuel Makron, kryeministri Edi Rama nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në Paris.
Në rrjetet sociale, ai ndau pamjet e momentit të mbërritjes, ku duket se është i shoqëruar nga bashkëshortja Linda.
Vizita e Ramës, sipas kryeministrisë përmban takime kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Takimet nisin nesër në orën 8:30, me një mëngjes pune me Unionin e Sipërmarrësve të Francës, në praninë e 35 përfaqësuesve të kompanive prestigjioze franceze, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit.
Në orën 12:30 do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, e më pas në orën 13:00, kryeministri Rama do të mbërrijë në Pallatin Elysee, ku do të mirëpritet nga presidenti francez, Emanuel Makron, me të cilin do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp.
Më pas, në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit francez, Makron, do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve.
LULJETA NDOKA
