Botë
Sulme të pandalshme ajrore nga Rusia, Zelenski: Kemi nevojë për mbrojtje ajrore
11.04.2024 16:30
Një valë e re sulmesh të ashpra ruse në Ukrainë me më shumë se 40 raketa dhe mbi 40 dronë...

Një valë e re sulmesh të ashpra ruse në Ukrainë me më shumë se 40 raketa dhe mbi 40 dronë. Shpërthime në verilindje, jug dhe perëndim të vendit. Rajoni më i goditur është Kharkivi. Mbi 200 mijë konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike. Presidenti ukrainas Zelenski, duke kërkuar mbrojtje ajrore, ka thënë se forcat ukrainase arritën të rrëzonin vetëm disa raketa dhe drone.
“Ne kemi nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore dhe avionë luftarakë për të mbrojtur qytetet nga terrori rus. Ne kemi nevojë për artileri për të lëvizur vijën e frontit dhe kemi nevojë për drejtësi, presion ndaj Rusisë që nuk do ta lejojë Putinin të rrisë potencialin e tij ushtarak. Putini mund të plotësojë deficitin e vendimeve botërore vetëm me agresionin e tij. Është e mundur të fitohet kjo luftë. Por deficitet nuk e çojnë përpara luftën.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Bajdeni i bëri thirrje përsëri kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Majk Xhonson, të lejojë një votim për ndihmë për Kievin, duke thënë se kjo ishte mënyra e vetme për t'i dhënë fund luftës.
“Përfundimi i luftës në Ukrainë do të varet nëse lideri i Dhomës së Përfaqësuesve do të lejojë një votim. Ka mbështetje të madhe për Ukrainën në mesin e shumicës së demokratëve dhe republikanëve. Është e nevojshme të kemi një votë tani.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
Vonesat në ndihmë kanë pasoja në terren. Ukraina nuk mund të presë, tha kreu i diplomacisë evropiane, Borrell, duke i bërë sërish thirrje BE-së të përshpejtojë ndihmën ushtarake. Një thirrje publike drejtuar aleatëve për të dhuruar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore u bë edhe nga njeriu i parë, Stoltenberg.
“Situata në fushën e betejës është e vështirë. Vonesa e ndihmës ka pasoja të drejtpërdrejta në terren dhe do të mundësojë që raketat ruse të godasin më shumë objektiva dhe të shtypin në vijën e frontit. Ukraina thjesht nuk mund të presë. Tani ajo ka nevojë për mbrojtje ajrore, municion dhe ndihmë.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ndërkohë Moska thotë se është e hapur për bisedimet e paqes në Zvicër, por nuk do të marrë pjesë në konferencë.
BELINDA KOKA ADEMI
