Botë
Gazë, vriten djemtë e liderit të Hamasit
11.04.2024 16:50
Kërcënim i rrezikshëm për përhapjen e luftës në Lindjen e Mesme....

Kërcënim i rrezikshëm për përhapjen e luftës në Lindjen e Mesme. ShBA-ja dhe aleatët e saj paralajmërojnë sulm të mundshëm masiv të Iranit ndaj objektivave ushtarake dhe qeveritare në Izrael. Ata pretendojnë se sulmi do të kryhet nga grupe pro-iraniane si hakmarrje për bombardimin izraelit të kompleksit diplomatik iranian në Damask, raportojnë mediat perëndimore, duke cituar burime të inteligjencës amerikane dhe izraelite. Dhe ndërsa Izraeli përgatitet për një ofensivë në qytetin kufitar Rafah, Bajdeni theksoi se qasjen e Netanjahut ndaj luftës në Gazë e konsideron një gabim. Ai paralajmëroi se mbështetja e ardhshme e ShBA-së për Izraelin do të varet nga mbrojtja e civilëve dhe punonjësve të ndihmës në Rrip.
“Kam qenë shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë me kryeministrin Netanjahu. Ai ra dakord të sillte më shumë ndihma, ushqime dhe ilaçe në Gazë dhe të reduktonte ndjeshëm viktimat civile në çdo veprim të ndërmarrë në rajon.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
Ndërkohë që negociatat mes Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim në Rripin e Gazës vazhdojnë, situata po ndërlikohet më tej nga vrasja e tre djemve të liderit të grupit militant. Lideri i Hamasit, Ismail Hanie, konfirmoi se tre nga djemtë e tij u vranë në një sulm izraelit me dron. Ai është i vendosur se vrasjet nuk do të bëjnë presion ndaj Hamasit për të zbutur pozicionet e tij.
“Zoti i mëshiroftë, ne do të vazhdojmë. Zoti i mëshiroftë!”, - theksoi lideri i Hamasit, Ismail Hanie.
“Ne qëndrojmë në vendin ku vdiqën djemtë e kreut të byrosë politike të lëvizjes së rezistencës islame. Le ta dinë të gjithë se populli i Palestinës në Rripin e Gazës është në të njëjtën situatë. Nuk ka dallim mes bijve të liderëve dhe bijve të popullit.”, - u shpreh vëllai i Ismail Hanie, Nahed Hanie.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka nxjerrë të dhëna të reja për numrin e të vdekurve që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Gazës. Bilanci i zi arriti në mbi 33.400 viktima, nga të cilat 13.000 ishin fëmijë. Janë regjistruar të paktën 76 mijë persona të plagosur.
BELINDA KOKA ADEMI
