Maqedoni
Kuvend, rikthehen përplasjet rreth përdorimit të shqipes
08.04.2015 17:02
Zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të Bashkësive mbi 20%, përkatësisht Ligji për Përdorimin e Gjuhës Shqipe...

Zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të Bashkësive mbi 20%, përkatësisht Ligji për Përdorimin e Gjuhës Shqipe, has në vështirësi në vetë institucionin që e ka miratuar këtë ligj.
Përkthimi i pjesshëm i materialeve për punë në Komisionin për Politikë të Jashtme nxiti debat mes anëtarëve të këtij trupi, edhe pse të gjithë janë deputetë të shumicës parlamentare. Deputetët e BDI-së kërkuan pezullimin e seancës derisa shërbimet nuk sigurojnë materialin edhe në gjuhën shqipe.
“Në përputhje me rregulloren dhe ligjin, kërkoj që kjo seancë të ndërpritet derisa materialet të sillen edhe në gjuhën shqipe, gjuhën zyrtare”- tha Artan Grubi nga BDI.
Mirëpo, deputetja, Liljana Popovska, ngriti dyshimin se përplasja e këtillë mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së mund të jetë e kurdisur.
“Nëse bëhet fjalë për zbatim ligji, nëse bëhet fjalë për kolegë që janë nga koalicioni i njëjtë, çfarë është kjo?! Mos është kjo ndonjë lojë me dy partive të juaja të mëdha?!”- theksoi Liljana Popovska nga RDM.
“Bëhet fjalë për lojë, në një mënyrë të ngjashme, kur përfaqësuesit e juaj në qeveri dakordojnë ndonjë ligj të caktuar, ndërsa ju si deputetë në kuvend votoni kundër atij ligji”- u shpreh Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Përndryshe, Komisioni për Politikë të Jashtme duhej të miratojë katër propozim-ligje për ratifikimin e disa marrëveshjeve mes Qeverisë së RM-së dhe qeverive të katër vendeve përkatëse.
Në ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, mbajti fjalim para anëtarëve të këtij komisioni lidhur me çështje aktuale nga sfera e politikës së jashtme dhe iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me këtë fushë.
SHPËTIM NUREDINI
